Sali Berisha ka vijuar denoncimet për zgjedhjet e 14 Majit gjatë konferencës së përjavshme me gazetarët.
Berisha ka shfaqur videot e shkëputura nga procesi i votimit të qytetarëve më 14 Maj për të cilat pretendon se operatorët kanë shkelur ligjin dhe u kanë treguar votuesve se çfarë të shënojnë në fletën e votimit.
Kryetari i PD-së, Berisha thotë se raporti për dhunimin e zgjedhjeve është në finalizim, për të cilat thotë se do të paraqesin fakte dhe dokumente që rrëzojnë në mënyrë përfundimtare zgjedhjet e 14 Majit.
Sali Berisha: E them përsëri, që përsëritja e të njëjtës temë nuk është ndonjëherë atraksion për mediat, por kur është një gjë themelore, shmangia e saj përbën një gabim të pafalshëm. Pikërisht kjo më detyron mua të paraqes për të shumtën herë tek ju, fakte dokumente të cilët demaskojnë dhe rrëzojnë në mënyrë përfundimtare, zgjedhjet e 14 majit si procesi më i shëmtuar, më i pabarabartë, si procesi në të cilin u ushtruan të gjitha format e presionit mbi zgjedhësit shqiptarë, si procesi në të cilin ditën e zgjedhjeve në qendrën e votimit me kaosin e qëllimshëm të krijuar, me pushtimin e tyre nga një lukuni e tërë punonjës administrate që u sollën si polici elektorale, politike, proces zgjedhor nuk ka pasur. Ne po finalizojmë raportin në të cilin faktojmë të gjitha aspektet e rënda të dhunimit të këtyre zgjedhjeve. Ndaj dhe këtë bisedë me ju do ta filloj me këtë çështje.
Berisha u shpreh se këto zgjedhje nuk mund të njihen, teksa ka shtuar se janë përdorur të gjitha teknikat për të manipuluar zgjedhjet.
Sali Berisha: Janë përdorur të gjitha teknikat për të maskuar, për të manipuluar zgjedhjet, faktikisht nuk ka pasur zgjedhje. Këto video i ka vlerësuar, parë KAS-i dhe i ka quajtur normale. A mund të imagjinoni ju një institucion. Kam konstatuar se armiqtë më të këqinj të ligjit, janë juristët e korruptuar. Mos e harroni këtë që ju thashë. Ligji nuk ka armiq më të egër se juristin e korruptuar. Qoftë ai gjykatës, prokuror, nënpunës, ministër, qoftë çfarë do qoftë, ai është armiku më i egër i ligjit. Këto ishin disa qendra, por ju garantoj se mbi 70-80% e qendrave në mbarë Shqipërinë kanë qenë të këtij karakteri, kaosi. Kudo punonjësi i pajisjes së identifikimit ka luajtur rolin e xhandarit të votës dhe të zgjedhësit. Aty ku ka pasur makineri votimi kanë votuar për ta. Ndaj dhe këto zgjedhje nuk mund të njihen. Këto zgjedhje janë dëshmia më e fortë, më flagrante e domosdoshmërisë jetike, për tu ngritur shqiptarët në protestë dhe për të rikthyer votën e lirë.
/a.r