Dy shqiptarë të Kosovës janë sulmuar fizikisht në veri të Mitrovicës nga një grup prej 15-20 personash.
Policia e Kosovës bën me dije se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të enjtes rreth orës 20:00 në rrugën “Mbreti Pjetër I”, në veri të Mitrovicës.
Sipas dëshmive paraprake disa prej personave ishin të maskuar, ndërkohë që autoritetet në Kosovë po vijojnë punën për identifikimin dhe arrestimin e agresorëve.
Një prej shqiptarëve ka marrë lëndime të shumta dhe është dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
“Dy viktimat meshkuj shqiptarë/kosovarë kanë raportuar se janë sulmuar fizikisht nga 15-20 persona të panjohur, ku në mesin e tyre disa kishin qenë me maska. Si pasojë e sulmit njëri prej viktimave ka pësuar lëndime dhe ka pranuar tretman mjekësor, rasti vazhdon të hetohet”, thuhet në raportin e policisë së Kosovës.
/a.r