Strehimi i muxhahedinëve të parë në Shqipëri daton që nga 2013 nga një marrëveshje e qeverisë Berisha me administratën Obama. Me qeverinë e Ramës nuk u rrit vetëm numri i tyre, por u lejua edhe ndërtimi i kampit në Manzë.
Strehimi i opozitës iraniane në vendin tonë çoi nga sulmet kibernetike deri tek ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike të Shqipërisë me qeverinë e Iranit. Muxhahedinët e parë në Shqipëri mbërritën në vitin2013, në fund të mandatit të qeverisjes së djathtë.
Vendosja e rreth 200 anëtarëve të opozitës iraniane në vendin tonë u parapri nga dy takime të nivelit të lartë Shqipëri-SHBA. Fillimisht, Kryeministri i kohës Sali Berisha, shtrëngoi duart në Uashington me Sekretaren e atëhershme të Shtetit Hillary Clinton në prill të 2012-s.
Tetë muaj më pas kthimi i vizitës nga ana e Clinton në kryeqytetin shqiptar. Marrëveshja e pranimit të muxhahedinëve është mbajtur sekret nga qeveria shqiptare, por 10 vite më vonë ish-kryeministri Berisha tregon disa nga detajet e këtij pakti.
Me ndryshimin e Qeverive, prezenca e muxhahedinëve u shtua. Sërish Tirana dhe Uashingtoni vepruan me të njëjtin skenar: Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati shkoi në 2015 në Uashington dhe u takua me Sekretarin e Shtetit John Kerry. Thuajse një vit më pas, erdhi kthimi i vizitës nga John Kerry në Tiranë.
Prezenca e lartë politike e amerikanëve garantoi aprovimin e të gjithë aktorëve politikë në vend, që lejoi ardhjen e rreth 2 mijë muhaxhedinëve të tjerë në Shqipëri.
Kongreset e opozitës iraniane të mbajtura në Paris respektoheshin nga delegacione bipartizane të politikës shqiptare. Rast ekzemplar të këtij zelli përbën Pandeli Majko në vitin 2016. I njohur për dhimbjet e dhëmballëve që nuk e lejojnë të mbajë qëndrime mbi zhvillimet e brendshme, për muxhahedinët nuk pati probleme artikulimi.
Muxhahedinët e vendosur në kampin Ashraf në Manzë, ndërtuan gjithçka që u nevojitej, nga shërbimet spitalore deri tek ndërtesat kulturore. Por jetesa e tyre brenda kampit ishte dhe vijon të mbetet një sekret jo vetëm për banorët e tjerë të Manzës, por për të gjithë vendin.
Opozitarët e Iranit të strehuar në Shqipëri, u vizituan shpesh nga funksionarë dhe ish-funksionarë të SHBA. Në 2018, ish-kryebashkiaku i New Yorkut, Rudy Giuliani takoi drejtuesit e muxhahedinëve, vizitë e pasuar në 2022 nga ish-Zv.presidenti amerikan, Mike Pence dhe ish-Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo.
Me vendosjen e tyre në Shqipëri, vendi ynë u kthye në një pikë referimi të kërcënimeve nga Irani, madje duke e etiketuar si një vend djallëzor që strehoi tradhtarët e Iranit. Autoritetet shqiptare janë munduar të minimizojnë rrezikun që mund t’i kanoset vendit nga bujaria e strehimit të muxhahedinëve.
Marrëdhënia e Shqipërisë me Iranin degradoi gradualisht me përjashtime diplomatësh e deri në sulmin kibernetik të verës 2022, që si kundërpërgjigje mori ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Pas operacionit të Policisë, urdhëruar nga SPAK, autoritetet shqiptare pohuan për herë të parë se muxhahedinët kanë shkelur marrëveshjen që lejon prezencën e tyre, duke mbajtur të hapur opsionin e rishikimit të saj.
/a.r