Nga Yuri Kim
Gjatë këtyre tre viteve e gjysmë të fundit, kam pasur privilegjin dhe nderin e madh të përfaqësoj Presidetin tim dhe vendin tim në Republikën e Shqipërisë. Erdha, siç mund ta kujtoni, më 22 janar, Muhamet ti ishe atje, 2020, si një ambasadore e re, e etur për të forcuar lidhjen e veçantë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, e vendosur për të mbështetur përparimin e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në komunitetin euroatlantik të demokracive, dhe plot shpresë. Ndërsa përfundoj misionin tim, jam shumë mirënjohëse që pata mundësinë ta njoh këtë vend, të vizitoj të 61 bashkitë e tij dhe të takoj shqiptarë nga të gjitha fushat e jetës dhe – si çdo ambassador amerikan përpara meje – të përpiqem të jap pjesën time në synimet tona të përbashkëta në demokraci, mbrojtje dhe biznes.
Demokracia
Shqipëria ka ndërmarrë reforma të vështira, veçanërisht në sektorin e drejtësisë, që i dhanë mundësinë vendit tuaj në vitin 2022 të hapte zyrtarisht negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian. E kam thënë shpesh që reforma në drejtësi nuk është e thjeshë, e shpejtë apo e përsosur, por ajo shfaq rezultate dhe këmbëngulja juaj është thelbësore për këtë. Mos u ndalni, vazhdoni të ecni përpara, hap pas hapi, derisa të arrini qëllimin tuaj. Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju në çdo hap të rrugës. Ne nuk do të lëkundemi në mbështetjen për aspiratat e popullit shqiptar për të zënë me të drejtë vendin që i takon në tryezën europiane.
Mbrojtja
Dhe për herë të parë në histori, ushtria amerikane po mban një prani të vazhdueshme në Shqipëri. Në vitin 2022, Forcat Speciale të SHBA-së në Evropë ngritën në Shqipëri selinë rajonale të Task Forcës për Ballkanin dhe Ushtria e SHBA-së në Evropë vendosi një Brigadë të Ndihmës së Forcave të Sigurisë (SFAB) këtu, në këtë vend. Ishte mbresëlënëse të shihje në vitin 2022, Grup Batalioni i Këmbësorisë së Lehtë të Shqipërisë u certifikua me Vlerësimin e Gatishmërisë Luftarake të NATO-s. Aktivitetet amerikano-shqiptare në fushën e mbrojtjes janë trefishuar gjatë dy viteve të fundit, nga 56 aktivitete në 2021 në 144 aktivitete në 2023.
Sulmet kibernetike dashakeqe dhe shkatërruese të Iranit që filluan në vitin 2022 treguan gjithashtu kërcënime të reja me të cilat duhet të përballemi së bashku. Shtetet e Bashkuara i kanë akorduar tashmë 50 milionë dollarë përpjekjeve të Shqipërisë për të forcuar mbrojtjen e saj kibernetike – dhe kjo është paketa më e madhe e ndihmës kibernetike që i kemi ofruar ndonjë vendi, përveç Ukrainës.
Biznesi
Lidhjet e biznesit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë gjithashtu vazhdojnë të rriten dhe të arrijnë nivelet më të larta se ndonjëherë. Ka ende vend për përmirësim, por po ndodh përparim. Mund t’ju kujtohet se në tetor të vitit 2020, nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit për Bashkëpunimin Ekonomik, i cili çoi në një sërë investimesh të rëndësishme tregtare të SHBA-së në Shqipëri. Këto investime do i mundësojnë Shqipërisë të rrisë furnizimet, të diversifikojë burimet dhe të bëhet një qendër për shpërndarjen e energjisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në qershor të 2021, nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit për të mbrojtur infrastrukturën tonë 4G dhe 5G të telekomunikacionit.
Do ndaj me ju disa statistika që përshkruajnë rritjen e marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Shqipërisë në biznes. Investimet e huaja të drejtëpërdrejta të SHBA-së arritën një nivel të ri prej 235 milionë dollarësh në vitin 2022, që është më shumë se dyfishi i asaj përpara pandemisë. Tregtia jonë dypalëshe është rritur në mënyrë të vazhdueshme dhe në vitin 2022, eksportet shqiptare drejt Shteteve të Bashkuara ishin tri herë më të larta se një vit më parë dhe pothuajse katër herë më shumë sesa dy vjet më parë. Pjesa e eksporteve totale drejt Shteteve të Bashkuara u dyfishua vitin e fundit.
Jam besimplotë se tregtia dhe investimet mes SHBA-së dhe Shqipërisë do të vazhdojnë të rriten ndërsa Shqipëria modernizon dhe përmirëson rregullat dhe procedurat për biznesin, zgjidh kërkesat dhe zbaton të drejtat e pronës, e çrrënjos korrupsionin nga gjykatat e Shqipërisë. Çështjet e reformës në drejtësi dhe lufta për të çrrënjosur korrupsionin, nuk është çështje e moralit vetjak, është çështje fuqije kombëtare dhe prosperiteti. Shtetet e bashkuara duan që Shqipëria të jetë një vend i pasur.
Roli global i Shqipërisë
Dua të them edhe disa fjalë mbi rolin e Shqipërisë në botë. Shtetet e Bashkuara ishin krenare që ndoqën udhëheqjen tuaj kur Shqipëria ishte Kryetare në detyrë e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Europë (OSBE) dhe kemi qenë krenarë të jemi partneri më i ngushtë I Shqipërsië në Këshillin e Sigurimit të OKB-së në mbrojtje të vlerave dhe të rregullave që kanë kërcënuar paqen dhe sigurinë në mbarë botën. Dua ta sqaroj, nuk janë vlerat dhe rregullat që kërcënojnë paqen dhe sigurinë, por tentative për t’i thyer rregullat, për të rishkruar këto rregulla që rrezikon paqen dhe sigurinë. E kemi vlerësuar pjesëmarrjen tuaj në mbështetjen e Ukrainës dhe në përballjen e pushtimit brutal dhe të paprovokuar të Rusisë.
Dhe njerëzit përreth botës, përfshirë Shtetet e Bashkuara, kanë qenë veçanërisht e frymëzuar të punoja me Shqipërinë për të shpëtuar jetë dhe për të nxjerrë jashtë rrezikut afganët e pambrojtur, pasi Shqipëria ishte e para që doli vullnetare për të strehuar afganët teksa kërkonin zhvendosje të përhershme në Shtetet e Bashkuara – një shpalosje e jashtëzakonshme traditës shqiptare të mikpritjes dhe nderit. Dhe populli i Shqipërisë meriton respekt për atë çka keni bërë.
Marrëdhënia jonë
Marrëdhëniet SHBA-Shqipëri nuk kanë qenë kurrë më të forta. Ne filluam Dialogun e parë Strategjik SHBA-Shqipëri në tetor të 2022 për të na mundësuar zgjerimin dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tone. Përveç përparimit tonë në demokraci, mbrojtje dhe biznes, jam krenare që isha këtu për disa hapa të rëndësishëm përpara.
Vitin e kaluar, përkujtuam 100-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë me një vit historik veprimtarish dhe festimesh. Patëm kënaqësinë të njoftonim në atë vit të njëqindvjetorit se qytetarët shqiptarë kualifikoheshin për viza amerikane të vlefshme për 10 vjet, jo më vetëm tre vjet. Në vitin e parë, mbi 24 mijë shqiptarë morën viza 10-vjeçare. Është një hap i madh përpara për lidhjen në udhëtimet dhe biznesin midis vendeve tona. Ndërsa shqiptarët tregojnë se po zbatojnë rregullat e vizave, kam besim se do të vijë dita kur nuk do të kërkohet më fare vizë.
Duke parë përpara
Ndërsa përsiatem për tre vitet e gjysmë të fundit në Shqipëri, jam krenare për përparimin që kemi bërë – së bashku. Kemi bërë hapa të mëdhenj për të çuar përpara partneritetin tonë. Mbetet më shumë punë për t’u bërë, sigurisht, por shpresoj se përparimi i bërë gjatë tre dhjetëvjeçarëve të fundit do të na frymëzojë të gjithëve – shqiptarë dhe amerikanë – të vazhdojmë të ecim përpara. Të mos dorëzohemi kurrë! Populli shqiptar nuk meriton asgjë më pak.
Dua t’ju shpreh diçka personale. Dua t’ju them se përvoja ime në Shqipëri më ka ndryshuar në mënyra të ndryshme. Do të largohem nga Shqipëria me respektin e thellë për historinë tuaj, traditat tuaja, këmbënguljen tuaj legjendare të shqiptarit. Do të largohem me mirënjohje për dashamirësinë dhe miqësinë tuaj. Do të largohem me simpati dhe solidaritet më të fortë për padurimin tuaj për një të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj. Dhe do të largohem nga këtu me një shpresë edhe më të madhe për këtë Tokë si e jona të Shqiponjës. Faleminderit. Faleminderit shumë!
Pyetje-përgjigjet me gazetarët
Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar lidhur me aksionin policer dje në Manzë ku janë vendosur njerëzit e organizatës MEK dhe janë shprehur të shqetësuar, sepse sipas tyre nuk është një lëvizje demokratike. A mendoni që Shqipëria duhet të shkojë drejt prishjes së marrëdhënieve dhe largimin të pjesëtarëve të organizatës MEK nga territori i Shqipërisë?
Mendoj se ky është vendim që e merr qeveria shqiptare. Një gjë është shumë e qartë. Mbështesim të drejtën e Shqipërisë për të zbatuar ligjet e veta në vendin e vet. Dhe ka kushte të caktuara që zbatohen për praninë e kujtdo miku në vendin tuaj dhe miqtë duhet t’i respektojnë ato.
E nderuara zonja ambasadore, a është e drejtë të thuhet se pas ambasadores Marisa Lino në vitin 1997, ju kishit mandatin më të vështirë si ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, pasi ju desh të merreshit, të bënit disa deklarata të forta dhe të kishit përballë të njëjtin person, Sali Berisha. Faleminderit!
Mendoj se secili ambasador përballet me pjesën e vet të sfidave dhe mundësive. Por, e dini, e veçanta e Amerikës është se gjithmonë shohim nga e ardhmja. Dhe çdo ambasador amerikan, i kaluar, i tashëm, i ardhshëm, do të përpiqet ta orientojë Shqipërinë gjithmonë nga e ardhmja.
Dua t’ju pyes, nëse do të ndryshonit diçka në Shqipëri, çfarë do të ishte? Dhe pyetja e dytë, a ka një gjë që funksiononte keq kur erdhët dhe vazhdon ende të funksionojë keq në këtë vend në këndvështrimin tuaj? Faleminderit!
Secili vend ka pjesën e vet të sfidave. Kur flasim për gjërat që duhet të përmirësohen apo duhet të jenë ndryshe në Shqipëri, dua ta bëj të qartë se e themi nga një pozitë simpatie dhe respekti. Nuk e themi sepse ne nuk kemi probleme dhe vetëm ju keni të tilla. Duhet të bëj të qartë po ashtu se ambasadorët nuk ndjekin agjenda personale kur jemi këtu. Kështu që, nëse pyesni nëse Shtetet e Bashkuara shohin fusha për përmirësim ndryshim dhe përmirësim, përgjigja është absolutisht po. Dhe ndaj ndjekim me aq këmbëngulje dhe e mbështesim me aq forcë përpjekjet e Shqipërisë për të reformuar gjyqësorin, për të pastruar korrupsionin nga gjykatat e saj, të modernizojë rregullat që qeverisin të dretjat e pronës, për shembull, dhe rregulla të tjera bër bizneset. Sepse duam të jeni të pasur dhe duam të jeni më të fortë. Kjo është arsyeja edhe pse mbështesim reforma në fusha të tjera, qoftë në sektorin e mbrojtjes apo ndonjë fushë tjetër.
Gjatë kohës tuaj në Shqipëri, mendoj është me vend të thuhet se keni qenë nën një lupë publike intensivisht, si profesionalisht ashtu edhe personalisht. Një pjesë ka qenë shumë pozitive. Por e di që jeni përballur edhe me shumë kritika, lajme të rreme, sulme në media dhe mediat sociale. Si e ka formësuar kjo përvojën tuaj të përgjithshme në Shqipëri, nëse e ka ndikuar? Çfarë mbresash ka lënë tek ju kjo përvojë? Dhe pyetja e dytë, a do të ktheheni për pushime?
Përgjigja ime mund t’i zhgënjejë ata që po kërkojnë dramacitet. E vërteta është se ka qenë kënaqësi të jem në këtë vend. Si në çdo kryeqytet, është gjithmonë ai grupi që flet pa pushim. Ka disa zëra të zhurmshëm që pretendojnë të flasin në emër të të gjithëve. Mua më pëlqen të mësoj të vërtetën. Dhe prandaj u përpoqa dhe ia dola të vizitoj që të 61 bashkitë në këtë vend të bukur dhe të arrij të njoh njerëzit, të bëj biseda që nuk janë planifikuar, dhe të përpiqem të zbuloj se për çfarë mendojnë njerëzit, çfarë shpresojnë për fëmijët e tyre, çfarë mendojnë për të ardhmen.
Çfarë iu pëlqen? Çfarë nuk iu pëlqen. Dhe për cilindo që ka ndaluar për të bërë një bisedë me mua, dua t’i them faleminderit sepse vërtet më ke ndihmuar ta kuptoj këtë vend dhe në secilën prej atyre bisedave, edhe kur nuk kemi qenë në një mendje dhe më ke thënë diçka që mendoje se nuk më pëlqente ta dëgjoja, prapë e vlerësova mundësinë për të zhvilluar një bisedë të plotë, një shkëmbim të vërtetë. Ishin disa që kalonin pranë meje dhe më dukej se nuk ishin të lumtur me politiknë e jashtme të SHBA ndaj Shqipërisë dhe u përpoqa t’i ndaloj që të zbuloja se çfarë mendonin. Dhe mendoj se në pak raste, personi që u përpoqa të kontaktoj u alarmua. Iu duk sikur u futën në telashe. Dhe shpresoj se ata persona dhe se çdo qytetar i Shqipërisë e di që nuk duhet të kenë kurrë, asnjëherë, frikë për të thënë të vërtetën; flisni të vërtetën; përballuni me personat që besoni se kanë pushtet. përballuni me ta, përballuni me pushtetin, iu thoni të vërtetën.
Kur ju keni ardhur në Shqipëri para afro tre vite e gjysmë keni deklaruar tre prioritetet në demokraci, biznes dhe mbrojtje. Mes këtyre tre fushave për të cilat ju listuat disa nga sukseset që janë arritur gjatë këtyre tre vite e gjysmë, cilën veçoni ose mund ta veçoni një nga fushat ose fushën ku ju keni pasur më shumë sukses dhe fushën ku nuk janë arritur pritshmëritë që ju keni pasur.
Siç thashë në fjalën hyrëse, kemi bërë përparim historik në secilën nga këto tre fusha. Ajo që dua të theksoj është se demokracia, mbrojtja dhe biznesi janë të ndërlidhura. Nuk mund të bësh përpara tek njëra fushë pa përparim tek dy të tjerat. Dhe në secilën nga këto fusha, kemi ende hapësirë për t’u rritur dhe kjo nuk është kritikë dhe as mënyrë për të fshehur kritikën. Në fakt, është thjesht hapësirë për t’u rritur. Ne përpiqemi të jemi të vërtetë për të vënë në pah se ku kemi bërë përparim dhe ku duhet të bëjmë më shumë. Dhe mund ta shihni këtë të pasqyruar jo thjesht në fjalimet e mia, por e shihni në komentet nga zyrtarë të lartë në Uashington. E shihni të pasqyruar në raportet vjetore që boton Departamenti i Shtetit. Ky vend ka hequr shumë. Populli shqiptar ka qenë jashtëzakonisht këmbëngulës dhe këmbëngulja juaj ka prodhuar rezultate. Mendoj se të gjithë duhet të shohim faktet dhe të shohim se sa rrugë të gjatë ka bërë ky vend. Sfidoj cilindo që të më thotë se ky vend nuk është më mirë se sa ishte në vitin 1991. Sfidoj cilindo, më jepni faktet se Shqipëria sot është siç ishte në 1991-in. Nuk e kam fjalën për atë që njerëzve, komentatorëve në televizion iu pëlqen të thonë. Unë flas me njerëz të vërtetë dhe shpresoj e bëni edhe ju. Ju jeni njerëz të vërtetë.
Unë vë në pah përparimin jo për të thënë, mirë, pushim tani se e bëmë gjithçka, por për të thënë, “O zot, ky vend është në gjendje për më shumë.” Ka fusha ku mendojmë se Shqipëria duhet të bëjë ndryshime për t’u bërë më e fortë dhe më e pasur, që të zini vendin që ju takon në tryezën europiane. Dhe këto fusha kanë qenë shumë të qarta, janë të qarta edhe për ju. Ka një problem me korrupsionin, se gjykatat dhe prokurorët duhet të jenë të pavarur. Duhet të punojnë me integritet. Prandaj Shtetet e Bashkuara, së bashku me Bashkimin Europian, shtyjnë kaq shumë tek nevoja për reformën në drejtësi. Prandaj nxisim kaq shumë për përparim me të drejtat e pronës. Nxisim për përparim që rregullat të jenë më të lehta për t’u kuptuar nga bizneset, procedurat të jenë më transparente, që bizneset amerikane të mund të vijnë në këtë vend, të aplikojnë të dinë që mund të marrin licensat e nevojshme, dhe të kenë besimin se nëse përballen me një problem, nëse përballen me një mosmarrëveshje në kontratë, të jenë në gjendje të shkojnë në gjykatë dhe të marrin një vendim që bazohet në fakte, jo në ryshfet apo kërcënime. Shtetet e Bashkuara kanë besuar tek Shqipëria; populli shqiptar ka besuar tek populli shqiptar nga fillimi nga 100 vjet më parë. Dhe kjo nuk do të ndryshojë kurrë. Dhe ne jua kërkojmë t’i bëni këto ndryshime, qoftë në drejtësi apo ndonjë fushë tjetër, kjo ndodh sepse e dimë që mund t’ia dilni. E dimë që mund t’ia dilni. Mos u dorëzoni. Dhe siç e përsëris shpesh, Shtetet e Bashkuara do të jenë me ju 100%. Ne nuk mund të jemi në krye, ky është vendi juaj. Ju duhet të jeni në krye, por ne do jemi krah jush.
A keni pasur mundësi të kontaktoni, të bisedoni me kolegët tuaj në Prishtinë dhe Beograd përsa i përket tensionit të lartë në veri të Kosovës? Dhe, a e shikoni ju si diplomate krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë si mundësi të çtensionimin dhe dhënien e paqes mes Kosovës dhe Serbisë?
Pozicioni i SHBA është shumë i qartë për ASM. Udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë ranë dakord me themelimin e ASM, por jo vetëm me themelimin. Ata ranë dakord me një rrugë që mbyllet me njohjen e plotë të Kosovës. Nuk mendoj se i duhet kujtuar ndokujt se sa shumë SHBA besojnë tek Kosova, tek dashuria që kemi, përkushtimi që kemi për një Kosovë të pavarur, sovrane. Nëse ju duhen prova, ju rekomandoj të hidhni sytë pak vite pas. Çështja është cilat janë hapat dhe pasojat me të cilat të dy palët do të ecin përpara së bashku? Dhe kjo është koha kur udhëheqësit duhet ta lënë pak mënjanë egon dhe të mendojnë për projektin kombëtar. Mendoni se kush janë miqtë tuaj. Merrini pak parasysh këshillat e miqve tuaj, miqve tuaj të vërtetë.
Pas tre viteve e gjysmë në shërbim në Shqipëri a e konsideroni të përmbushur misionin tuaj dhe do ta vijoni punën për Shqipërinë edhe në Departamentin Amerikan të Shtetit. Faleminderit!
Në postin tim të ardhshëm do të kem përgjegjësi për të gjithë Europën dhe kjo përfshin Shqipërinë. Dhe jam shumë e lumtur për këtë. Ndoshta jo kushdo është i lumtur, por unë jam. E vërteta, nga një pikëpamje personale, është siç e thashë më herët, se kam qenë shumë e prekur dhe e ndryshuar nga koha ime këtu. Pavarësisht nëse kthehem apo jo në Shqipëri, Shqipëria do të jetë gjithmonë me mua. Ndaj, më lejoni të them në mbyllje, arsyeja pse doja ta organizonim këtë konferencë për shtyp, për ta bërë drejtpërdrejt (live), për të mos parë pyetjet paraprakisht, është për t’i kujtuar cilitdo rolin thelbësor kritik të një media të pavarur, të lirë. Mediat mund të jenë një biznes, por gazetarët kanë përgjegjësi. Më keni dëgjuar shumë herë në tre vjet e gjysmë këtu në Shqipëri – puna juaj – dhe të gjithë kemi një punë – është të bëni pyetjet e vështira në emër të njerëzve. Dhe detyra ime, e cilitdo zyrtar të lartë, është të përpiqet t’i përgjigjet pyetjeve sa më vërtetë dhe plotësisht që mundem. Të gjithë kemi teknikat tona. Ndonjëherë nuk i përgjigjem pyetjes që bëni. Përgjigjem për një pyetje pak të ndryshme, por përballem me ju sepse ju përfaqësoni njerëzit dhe unë ju respektoj dhe nderoj rolin që keni në këtë demokraci.