Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve zbuloi sot një skemë mashtrimi me sigurimet shoqërore të punonjësve në biznesin fason, mes të cilëve edhe shtetas Italianë.
Subjekte të ndryshme, që operojnë në sektorin Fason, të lidhura me njëra tjetrën kanë përdorur skemën e hapjes dhe mbylljes së NIPT-ve, kalimin e biznesit nga një emër në një tjetër me qëllim shmangien e pagesës së Sigurimeve Shoqërore për punonjësit e tyre.
“Në subjektet e identifikuara nga Administrata Tatimore janë konstatuar individë me shtetësi shqiptare dhe italiane, që ushtrojnë aktivitete ekonomike në disa qytete të Shqipërisë, të cilët kanë transferuar aktivitetin e tyre nga një emër në një emër tjetër si palë të lidhura, me qëllim shmangien e mundësisë së Administratës Tatimore për mbledhjen e detyrimeve të punonjësve të tyre” thuhet në njoftimin për shtyp të këtij institucioni por pa dhënë saktë shifrën sa janë këto subjekte që kanë shkelur ligjet apo emrat e këtyre subjekteve.
Në zbatim të ligjit nr. 9920 për “Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” ky fenomen është një nga shkeljet më të rënda që një biznes i bën shtetit dhe punëmarrësit pasi këto biznese jo vetëm kanë shmangur detyrimet fiskale, por gjithashtu me veprimet dhe mosveprimet e tyre nëpërmjet skemave të ngritura kanë dëmtuar edhe punonjësit e tyre, të cilëve për një kohë të caktuar nuk i kanë paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, duke i rrezikuar pensionin si dhe mbulimin e shërbimeve shëndetësore.
Për këto raste administrata tatimore ka nisur një hetim që më pas do të pasohet dhe nga kallëzim penal të këtyre shoqërive.
Cudia eshte – pse administrata tatimore duhet ti konstatoj keto shkelje vetem pas protestave dhe sinjalizimeve te punonjesve ?