Partia Demokratike zyrtare ka miratuar në mbledhjen e sotme të Këshillit Kombëtar një rezolutë ku vë theksin te riorganizimi duke nisur me zgjedhjen e kryetarit të ri të partisë.
Një pjesë e deputetëve të grupit parlamentar e bojkotuan mbledhjen e sotme të Këshillit për shkak se mendonin që riorganizimi duhet të niste nga baza dhe të mbyllej me kryetarin e partisë.
REZOLUTË E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, i mbledhur sot, në 20 qershor 2023, si organi më i lartë i Partisë Demokratike midis dy Kuvendeve, në përmbushje të përgjegjësive të veta politike dhe statutore,
– Diskutoi mbi situatën në Partinë Demokratike duke vërejtur me shqetësim zhvillimet politike dhe përpjekjet për të anashkaluar dhe tejkaluar konsultimin, diskutimin dhe vendimmarrjen e Këshillit Kombëtar veçanërisht pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, 2023.
– Këshilli Kombëtar vlerëson se në këto momente përcaktuese për të ardhmen dhe ekzistencën e Partisë Demokratike është përgjegjësi e gjithsecilit, që nga anëtari më i thjeshtë e deri në organet drejtuese dhe përfaqësuese të saj, të veprojnë me pjekurinë, maturinë dhe vullnetin e duhur në shërbim të ngritjes, forcimit dhe shndërrimit të Partisë Demokratike në alternativë vlerash e parimesh që duhet të rezonojë me nevojat e shoqërisë shqiptare.
– Këshilli Kombëtar duke analizuar dhe reflektuar mbi ngjarjet dhe zhvillimet politike, mbi vendimmarrjet e munguara ose të vonuara nga organet drejtuese të Partisë Demokratike në harkun 15 muajve të fundit, konkludon se vetëm riorganizimi përmes një procesi zgjedhor transparent duke filluar me zgjedhjen e kryetarit të partisë dhe organeve të tjera drejtuese e organizative i shërben dhe mundëson ringritjen e Partisë Demokratike, aksionit të saj politik dhe përgatitjen për përballjen e ardhshme elektorale.
– Këshilli Kombëtar vëren se demokratët sot më shumë se kurrë kërkojnë vetëm të dëgjohet zëri dhe vullneti i tyre përmes votës, në shërbim të zgjidhjeve më të drejta për fuqizimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike si një parti që ruan vlerat dhe parimet euroatlantike me akte, jo me fjalë, një parti në bashkëpunim dhe aleancë të plotë me partnerët strategjikë, SHBA, Mbretërinë e Bashkuar dhe Bashkimin Europian.
– Këshilli Kombëtar për sa më sipër, në mbështetje të vendimmarjeve të Kryesisë së Partisë Demokratike ju bën thirrje të gjithë anëtarëve, drejtuesve dhe përfaqësuesve demokratë të angazhohen vendosmërisht duke i shërbyer të ardhmes së Partisë Demokratike dhe projektimit të saj si e vetmja forcë që mund të sjellë ndryshim./m.j