Presidenti i Republikës, Bajram Begaj priti sot në një takim Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Yuri Kim, me rastin e përfundimit të misionit të saj diplomatik në vendin tonë.
Presidenti Begaj e falënderoi Ambasadoren Kim për kontributin e dhënë në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë gjatë mandatit të saj në Shqipëri.
Kreu i Shtetit vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë të Ambasadores Kim me institucionet shqiptare për nxitjen dhe koordinimin e bashkëpunimit mes agjencive të specializuara të dy vendeve për çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë, me fokus të veçantë në atë kibernetike.
Presidenti Begaj falënderoi Ambasadoren Kim për angazhimin e saj në rritjen e shkëmbimeve tregtare mes vendit tonë dhe SHBA-së, por edhe për rritjen e aktivitetit të bizneseve amerikane në Shqipëri.