Më në fund, krerët e lartë të Partisë së Punës binden se një pjesë e madhe e tyre duhet të largohen. Në vazhdim të mbledhjes së Byrosë Politike është lideri i tyre, Ramiz Alia, që bën me dije se tre nga kolegët, Hekuran Isai, Pali Miska dhe Besnik Bekteshi, kanë kërkuar dorëheqjen nga të gjitha funksionet e larta, madje edhe nga detyra e anëtarit të Byrosë Politike. Janë çastet ku në sallën e mbledhjes së forumit më të lartë të Partisë, dialogu futet në qerthullin e një grotesku, që për pesëmbëdhjetë vjet me radhë, nuk u bë i njohur asnjëherë. Ishte përkujdesja e autoriteteve të larta që i arkivoi në dosjet “Top-sekret” dhe bëri ç’është e mundur për t’ia mbajtur të fshehur opinionit, rrënimin shpirtëror dhe vulgaritetin e këtij largimi të vonuar, të një pjese të lidershipit të komunistëve shqiptarë.
Për herë të parë, kemi siguruar proces-verbalin e plotë të mbledhjes së Byrosë Politike të 6 marsit 1991, i cili bën të njohur situatën kritike, që përvijoi debati në sallën misterioze të Komitetit Qendror, kur u përmend ikja e detyruar nga maja e piramidës së Partisë, e mjaft prej atyre që deri në atë kohë, kishin kryer detyra nga më të rëndësishmet, në krye të institucioneve shtetërore të vendit.
“Koha e këshilltarëve ka perënduar”, këmbëngulin ata. Ky qëndrim u vjen për hosh edhe vet të dorë hequrve, madje ata e çojnë me tej këtë argument, mjafton të mbeten të lirë. Flet i pari Hekuran Isai, që është këmbëngulës, në zgjedhjen që ka bërë. Pali Miska, provon të justifikohet në një mënyrë sa origjinale, aq edhe qesharake, rreth vendimit të tij: “Të paktën të ruajmë edhe atë pak autoritet që na ka mbetur, se do ta prishim fare”. Ndërkaq, njëri nga kolegët, që me sa duket mbart tjetër vizion, i ofron një punë tjetër kolegut, që kërkon të ruajë sa të mundet nga integriteti i udhëheqësit: “Shoku Pali, të merret me perimet dhe mbjelljet e pranverës(!)”!
Ndërkohë, që të larguarit pranojnë të angazhohen vetëm me punën e Partisë në lagje, nuk hezitojnë të qajnë edhe ndonjë hall personal, që ka të bëjë me pensionin e ulët, i cili, sipas tyre, nuk u arrin as për nevojat më jetike. Në amulli i sipër, debati kthehet sërish te shqetësimi, se çfarë do të bëhet për të rritur cilësinë e punës së Partisë. Dilema e Ramiz Alisë: “Do bëjmë kongres, plenum apo do të mjaftohemi, vetëm me një letër drejtuar aktivit të komunistëve”, fillimisht gjen një heshtje që zgjat për pak çaste.
Proces-verbali i zhvillimit të mbledhjes së Byrosë Politike, mars 1991
SHOKU RAMIZ ALIA: Mirë, çfarë ka ndonjë vërejtje tjetër?
SHOKU SPIRO DEDE: Unë mendoj se të pretendosh tani për të mbushur tregun, për të zgjidhur problemin e strehimit e të gjitha hallet e tjera, kjo do të thotë të futemi në diskutime të kota. Ne, duhet të vemi medoemos në zgjedhje, duke propaganduar me tërë forcën, me argumente dhe me shpirt një nga programet më të mira, që i jepet popullit shqiptar, për të ardhmen e tij. Ta bindim popullin, që ne jemi më të ndërgjegjshëm se kushdo, e ndiejmë përgjegjësinë historike, për gjithçka. Populli na kupton që këto ditë, ne nuk i zgjidhim dot të gjitha hallet dhe problemet, po ne vijmë me këtë program dhe atij, i mbushet mendja për peshën e këtij programi, për karakterin e tij, vërtet shumë realist dhe përparimtar.
Njerëzit e mirë thonë: A do të jeni në gjendje ju komunistët, ta zbatoni këtë program dhe të na udhëhiqni me këtë program? Ndërsa njerëzit e këqij, thonë që; ju programin e keni shumë të mirë, por keni marrë fund e të tjera. Ne sot i mblodhëm shokët, kemi përcaktuar dhe një tematikë, me tendencë që dikush, të zbërthejë këtë ide, tjetri një ide tjetër. Kemi marrë specialistë nga më të mirët dhe ramë dakord që, të fillojnë qysh nesër e të mbarojnë nga data 18 mars.
Do të dërgojmë në rrethe veteranë, njerëz me influencë, që punojnë në Tiranë. Kemi bërë listat, mund të shtojmë dhe të tjerë, dhe të venë të gjithë nëpër rrethe. Unë, thoshte Luan Qafëzezi, jam i bindur se, do t’ia shtoj një mijë vota Partisë, nga ata që janë lëkundur, se ka influencë në zonën e Beratit, siç kanë dhe të tjerët, në zonat ku do të venë. Duhet të bëjmë ç’është e mundur me forcat që kemi.
SHOKU RAMIZ ALIA: I keni caktuar ju, shokët e Byrosë Politike?
SHOKU SPIRO DEDE: Disa, po dhe ministrat.
SHOKU RAMIZ ALIA: Caktojeni dhe shokët, në qoftë se janë dakord, nëpër rrethe.
SHOKU ABDYL BACKA: Unë isha në Elbasan dhe në Durrës. Me sinqeritetin dhe seriozitetin që ka Partia jonë për programin, dëgjonin shumë dhe ishin njerëz nga më të ndryshmit. Pse nuk na flasin, thoshin.
SHOKU SPIRO DEDE: Në Tiranë këto ditë, jam takuar me mbi 100 sekretarë organizatash bazë. “Pse nuk na vjen njeri të na flasë në ndërmarrje”? thoshin “Komitetet e Partisë të rajoneve nuk ekzistojnë, nuk na thërret njeri”. Me këtë nuk dua të them se nuk punojnë shokët e Komitetit të Partisë të Rrethit të Tiranës. Ismail Lleshi, për shembull, bën dy e tre takime në ditë. Dhe shoku Robert, ka bërë takime. Po ata nuk ankohen ndaj Tiranës, se sa ndaj rajoneve, që nuk venë në ndërmarrje, ku ata të Partisë Demokratike, janë vazhdimisht prezentë. Ne i organizojmë mbledhjet, më shumë nëpër komitete partie, kurse punëtorët, thonë pse nuk na vjen njeri në ndërmarrje?! Siç bëjnë propagandë ata të Partisë Demokratike, të bëjnë dhe të Partisë së Punës. Të vijnë se na japin krahë. Të paktën mbi 5-6 vetë ma kanë thënë këtë.
SHOKU XHELIL GJONI: Tirana ka nevojë edhe për ndihmën tonë, se komitetet e Partisë të rajoneve të Tiranës, nuk janë në gjendje që ta përballojnë dot këtë punë, duke angazhuar dhe kuadro të inteligjencies, të Universitetit, etj.
SHOKU SPIRO DEDE: Unë me inteligjencien kam bërë dy takime. I kam thënë Fatri Sinanit (2) që t’i mbledhë, kur të dojë, dhe pedagogët e Universitetit. Nesër e kemi lënë, të takohemi me pedagogët e Institutit të Lartë Bujqësor. Do të vemi bashkë me Ismail Lleshin.
SHOKU XHELIL GJONI: Kurse unë e mendoj disi ndryshe këtë punë, shoku Foto, shoku Pirro Kondi, Nasi Lera, Dritëro Agolli, Namik Dokle e, të tjerë anëtarë plenumi të inteligjencies, të shkojnë të takohen me inteligjencien e me rininë, për t’i tërhequr në anën tonë.
SHOKU SPIRO DEDE: Shumë drejt, duhet bërë dhe do ta bëjmë këtë punë.
SHOKU XHELIL GJONI: Unë të gjithë shefat e sektorëve të KQ i kam dërguar në Tiranë të ndihmojnë, sepse rajonet e Tiranës sot kanë nevojë për të gjithë ne.
SHOKU RAMIZ ALIA: Të mos harrojmë që ne kemi stilin e mbledhjeve hierarkike: unë flas me ty, ti flet me shefat, shefat flasin me instruktorët, instruktorët me sekretarët, sekretarët me organizatat. Ka ndryshuar ky stil? Sigurisht që ka ndryshuar.
SHOKU XHELIL GJONI: Unë them që ka ndryshuar.
SHOKU RAMIZ ALIA: Jam shumë dakord që ka ndryshuar, po në një pjesë të madhe të Partisë, kam përshtypjen që nuk ka ndryshuar.
SHOKU XHELIL GJONI: Kur vajta sekretar i parë në Tiranë, gjendja atje ishte shumë e rëndë. Prandaj në mbledhjen e plenumit të Komitetit të Partisë, ku mori pjesë edhe shoku Adil, shtruam tri probleme: forcimin e punës së Partisë në rreth, punën me rininë, se vihej re një shkëputje e Partisë nga rinia, dhe çështjen e drejtësive, kundër hatërllëqeve e të tjera.
SHOKU SPIRO DEDE: Krahas kësaj duhet të bëjmë ç’është e mundur për përmirësimin e tregut, për sigurimin e lëndëve të para dhe veçanërisht për fillimin e investimeve të huaja.
SHOKU RAMIZ ALIA: Investimet e huaja nuk fillojnë dot në këtë gjendje që jemi.
SHOKU SPIRO DEDE: Për sa i përket letrës, unë e lexova dhe, me thënë të drejtën, më pëlqeu. Mund të ketë nevojë për ndonjë krehje, mund të hiqet ndonjë shprehje, si; “vendi i vetëm socialist”, etj., por në përgjithësi m’u duk e mirë. Ajo shpjegon ngjarjet që ndodhën dhe njëherësh shtron detyra për angazhimin e komunistëve në fushatën e zgjedhjeve dhe në problemet e tjera. Nuk jam dakord që për Letrën të mblidhet Plenumi i Komitetit Qendror të Partisë, sepse nuk ka ç’bën. Efektivisht, është një plenum që nuk ekziston, faktikisht nuk punon, 60 a 70 për qind e përbërjes së tij, janë pensionistë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Nuk ka dyshim që vërejtjet e shokëve që letra do korrigjuar e rregulluar janë të drejta.Problemi që mbetet për t’u diskutuar është: të mblidhet apo të mos mblidhet Plenumi?
SHOKU XHELIL GJONI: Çfarë na dha plenumi, – do të thonë njerëzit.
SHOKU RAMIZ ALIA: Në fakt, plenumi i kaluar nuk la përshtypje të mira në njerëz. Dhe ky plenum, vështirë të japë ndonjë gjë për të qenë. Tani, ne do t’i futemi fushatës së zgjedhjeve. Ky plenum, një gjë mund të bënte, në qoftë se biem dakord të mblidhet: të shqyrtonte nevojën e rinovimit të Partisë dhe të miratonte krijimin e grupit organizator, të kongresit.
SHOKU XHELIL GJONI: Prapë do të na akuzojë baza, që nuk e pyetëm…!
SHOKU RAMIZ ALIA: Atëherë konkluzioni është që këtë Letër ta përpunojmë, t’i shtojmë dhe gjërat që u thanë këtu, të formulojmë listën, së cilës mundet t’i hedhim një sy në Byronë Politike, në qoftë se jeni dakord, dhe ta dërgojmë poshtë në bazë. Masat që kemi vendosur, do t’i marrim. Për të tjerat jeta do të na mësojë çfarë do të bëjmë. Çështja e Hekuranit, Palit dhe Besnikut, ka mbetur një çikë zvarrë. Na ndodhën gjithë këto ngjarje dhe na mbeti pa u përfunduar. Çfarë variantesh ka për këtë punë?
SHOKU PALI MISKA: Kjo çështje, shoku Ramiz, koinçidon me mbushjen e moshës sime të pensionit. Në punët e Partisë, mund të angazhohem, po nga ana e punëve shtetërore, unë e mbusha moshën. Jo se përtoj, jo se jam lodhur, po mendoj se nuk shkon më. Edhe ai pak autoritet që na ka mbetur, ta ruajmë se sa ta prishim fare. Këtë e them me sinqeritet. Unë për jetë të jetëve, i jam mirënjohës Partisë, shokut Enver, juve, mbetem gjithnjë besnik i Partisë. Dhe në Byronë Politike, mendoj të mos jem më. Unë e them me zemër të hapur, që mirë e keq, si kemi punuar, kemi ardhur deri këtu, tani nuk kam asnjë pretendim.
SHOKU RAMIZ ALIA: Dhe Hekurani, kështu e ka shtruar problemin, më duket. Unë kisha mendimin një here, që ai mund të na ndihmonte, këtu në Komitetin Qendror.
SHOKU HEKURAN ISAI: Nuk kam çfarë të bëj këtu.
SHOKU SPIRO DEDE: Po sikur shoku Hekuran, të jetë pranë qeverisë për zgjidhjen e vatrave të nxehta?
SHOKU HEKURAN ISAI: Jo, ç’është ajo?
SHOKU SPIRO DEDE: Unë personalisht, do të isha për atë që shoku Pali, të merrej vetëm me perimet dhe mbjelljet e pranverës, në ndihmë të Ministrisë së Bujqësisë.
SHOKU PALI MISKA: Jo, jo. Unë nuk ia përtoj punës, po tani u ka ikur koha këtyre.
SHOKU SPIRO DEDE: E them këtë lidhur me boshllëkun që është krijuar, se Partia u largua nga problemet ekonomike. Unë mendoj që shoku Pali, mund të ndihmonte në këtë drejtim.
SHOKU VANGJEL ÇERRAVA: Iku koha e këshilltarëve tani.
SHOKU PALI MISKA: Është një aparat i tërë i ministrisë për këto punë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Efektivitet fizik keni, dhe njëri dhe tjetri. Tani jemi në fushatën elektorale dhe mund të angazhoheni…!
SHOKU PALI MISKA: Për fushatën e zgjedhjeve, shkojmë ku të ketë nevojë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po për Besnikun, si do të bëhet?
SHOKU ABDYL BACKA: Ishte një mendim për në Drejtorinë e Bashkëpunimit me Jashtë, në Ministrinë e Industrisë…!
SHOKU VANGJEL ÇERRAVA: Jo, në dikasterin e tij, nuk ka pse të rrijë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Jo, nuk ka punë aty.
SHOKU BESNIK BEKTESHI: Unë jam inxhinier, nuk ka problem.
SHOKU PALI MISKA: Dhe çështjen e kandidaturës sonë për deputetë, shikojeni që të hiqet. E them sinqerisht këtë.
SHOKU RAMIZ ALIA: Po e shikojnë këtë shokët.
SHOKU ADIL ÇARÇANI: Duhet të rishikohen ato kandidatura.
SHOKU HEKURAN ISAI: Dhe unë po dal në pension, me 60 a 70 për qind, sa më bie. Dalja në pension, si për mua dhe për të gjithë shokët, është një moment delikat, po rrethanat janë të tilla, që ne duhet të dalim në pension. Kështu i bëhet mirë dhe Partisë dhe neve. Punë partie në lagje, me popullin, do të bëjmë në çdo kohë.
SHOKU PALI MISKA: Në lagje, si gjithë të tjerët, do të punojmë. Me që u futëm në këtë çështje, do të thosha që paga jonë, 7 mijë lekë të vjetra, do të jetë, se ne nuk marrim asnjë mijë lekëshin e Luftës, që të na bëhet 8 mijë lekë…!
SHOKU HEKURAN ISAI: Dhe një gjë tjetër: unë kam 40 vjet dhe tetë muaj punë. Në qoftë se do të isha punëtor në Cërrik, do t’i kisha blerë frigoriferin, lavatriçen, mobiliet etj., si të gjithë shokët e mi punëtorë, që kam sot. Unë shkova sekretar i parë në Librazhd, pastaj në Peshkopi dhe në fund, Partia më solli në Tiranë, ku godina e banimit, kishte pajisjet e saj. Plaçkat e mia, i lashë në shtëpinë ku rrija, ato u kalbën.
Tani, më vjen punonjësi i Drejtorisë së Pritjes, e më thotë që; këto plaçka që ka shtëpia ku rri, do t’i paguash me çmimin fillestar. Unë nuk kam asnjë lugë dhe pirun timin. Po të kem para në bankë, Partia ka të drejtë të më thotë që; ti, shok i dashur, i ke kursyer paratë, prandaj bliji çfarë të duhet. Unë para në bankë nuk kam. Prandaj kërkoj që këto plaçka, t’i paguaj me këste ose me kredi.
SHOKU ABDYL BACKA: Me shokun Adil, e kemi biseduar që ato plaçka të paguhen me këste, duke i vlerësuar me gjendjen që janë.
SHOKU VANGJEL ÇERRAVA: Unë mendoj se është koha, të caktojmë kur do të bëjmë zgjedhje në Parti, madje dhe kongresin. Pritet nga opinioni që të bëhet kjo.
SHOKU SPIRO DEDE: Këtë do ta caktojmë menjëherë mbas zgjedhjeve, për deputetë në Kuvendin Popullor.
(Dhe shokët e tjerë thonë që; ky problem do të shikohet, mbas zgjedhjeve).
Llambi GegpriftiI: Përpjekjet për Kongresin dhe Plenumin e Komitetit Qendror, nuk dhanë efekt!
“Thirrja e kongresit, së paku mbledhja e Plenumit të Komitetit Qendror, vlerësohej nga kolegët gjatë asaj mbledhjeje si një faktor i rëndësishëm, që do t’i jepte impakte pozitive jetës së Partisë. Po në analizë të fundit, rezultoi se as njëra dhe as tjetra, nuk mund të bëheshin, pasi koha nuk premtonte. Zgjedhjet parlamentare, ishin shumë afër dhe duhej përqendruar vëmendja atje. Njëherazi me faktorin kohë, në disfavorin tonë ishin ndërkaq edhe një sërë arsyesh të brendshme, që cenonin imazhin e këtyre forumeve, ku ende dominonin praktikat dhe mendësitë komuniste.
Mbeti pastaj që mbledhja të procedonte vetëm me largimin e kolegëve që dolën në pension dhe miratimin e tekstit të një letre adresuar organizatave të Partisë dhe komunistëve, për të ngritur sa të mundnin rolin e tyre. Për të tjerat, u planëzua që të bëheshin pas zgjedhjeve…”. Kështu e përmbledh Llambi Gegprifti, rrëfimin e tij, për thelbin e mbledhjes maratonë të Byrosë Politike, të marsit të vitit 1991, vetëm pak ditë përpara zgjedhjeve të para parlamentare pluraliste, në Shqipëri.
Në cilësinë e kandidatit të këtij forumi, vuri në dukje për udhëheqësit e tjerë shqetësimin e organizatës së Partisë së Tiranës, për ato që ofronte programi elektoral. “Këmbëngula, – nënvizon Gegprifti, – për të qenë sa më racional dhe bindës në ofertat, që do t’u drejtonim qytetarëve me rastin e ballafaqimit elektoral, ashtu sikundër u shprehën edhe mjaft nga shokët e tjerë, po larmia e problemeve dhe efektet e krizës së gjithanshme, sidomos në kushtet e Tiranës, nuk premtonin për zgjidhje të shpejta.
U rrahën në atë mbledhje edhe problemet e furnizimit të popullatës, të strehimit, të punësimit, të tregut etj., për të cilat, do të angazhoheshim në fushatë për t’i përmirësuar. Po, perspektiva në atë situatë të rënduar, nuk dukej e qartë dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Këto padyshim, do të na jepnin edhe koston që meritonim në zgjedhjet që ishin te pragu”.
Ndërsa flet për to, ish-kreu i Komitetit Ekzekutiv të kryeqytetit, dëshmon për fitoren e tyre nga Partia e Punës. “Vërtetë Partia jonë i fitoi ato, – shprehet Gegprifti, – por kish humbur në Tiranë, madje në një nga bastionet e hershme tonat, lideri Ramiz Alia, ish-Presidenti i Republikës…”!
Ai shprehet se; ishte një rezultat i brishtë që, nuk e lejoi maxhorancën e Partisë së Punës, ta çonte deri në fund mandatin e qeverisjes. Vetëm një vit pas kësaj, saktëson ish-udhëheqësi komunist, pikërisht më 22 mars 1992, Partia Demokratike, ish-partia e parë antikomuniste në Shqipëri, do të vinte në pushtet, me një votë plebishitare të shqiptarëve.
Sa për zhvillimet në radhët e Partisë së Punës, kongresi i bërë në qershor të vitit 1991, do ta transformonte atë në Parti Socialiste, duke braktisur tërë bazën tradicionale të partisë historike…! Duke marrë shkas nga ky prononcim i vetëm deri tani në media, Gegprifti, këmbëngul për të saktësuar shifrën e të përndjekurve politikë, që u sistemuan gjatë asaj periudhe me strehim nga institucioni që drejtohej prej tij, e cila, sipas Gegpriftit, nuk arriti kurrë 15 mijë, sa ç’është deklaruar në shtyp, po shumë më pak se kaq”!