Bajram Begaj zgjodhi gjuhë diplomatike, por nuk e fshehu zhgënjimin me atë që u quajt marrëveshje e Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë. Nga Forumi i Prespës për Dialog, Presidenti i Shqipërisë duket se kishte një mesazh kritik edhe për ndërkombëtarët, që lejuan Presidentin Vuçiç të mos firmoste marrëveshjen, ndonëse Albin Kurti ishte i gatshëm ta siglonte atë nëse dakortësia do të kishte qenë dypalëshe.
“Dakordësia e fundit publike e arritur në Ohër, mes Kosovës dhe Serbisë, ishte një moment tjetër optimizmi, por që shumë shpejt duket sikur po shndërrohet në një moment zhgënjimi. Nuk dua të hyj këtu në detaje, pasi partnerët tanë evropianë dhe amerikanë po japin një kontribut të jashtëzakonshëm që palët të arrijnë një kompromis për normalizimin e marrëdhënieve e njohjen reciproke”, tha Begaj.
Mëdyshja mes demokracisë dhe stabilitetit, rrezikon autokracinë, paralajmëron Begaj, në një tjetër pasazh të fjalës së tij, që tingëlloi gjithashtu si kritikë ndaj tolerancës së ndërkombëtarëve.
“Konstatoj me keqardhje, se në vitet e fundit, për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe rritjes së influencës së aktorëve të tretë dashakeqës në rajonin tonë, gjithnjë e më shumë po zë vend mëdyshja: demokraci apo stabilitet. Nga historia kemi mësuar, se demokracia nuk është e pakthyeshme. Ajo varet nga shumë variabla, të njohur e të panjohur, të cilat duhen mbajtur mirë në vëmendje. Tolerimi i tyre, apo më keq mosveprimi i menjëhershëm e i koordinuar, e bën kalimin nga demokracia në autokraci, thjesht çështje kohe”, shtoi Begaj.
Presidenti i Shqipërisë theksoi sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës nuk mund të vihet në pikëpyetje nga askush, teksa u kërkoi autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit të frymëzohen nga marrëveshja mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Kosova është një realitet politik i pakthyeshëm! Por vlerësoj, se është koha e duhur që liderët e këtyre dy vendeve të ndërmarrin përgjegjësitë historike, që ashtu si ata të Maqedonisë së Veriut e Greqisë pesë vjet më parë, të çojnë përpara procesin e pajtimit, si dhe normalizimin e marrëdhënieve dhe njohjen mes tyre”, shtoi Begaj.
Ata që synojnë kthimin e këtij rajoni pas në të kaluarën konfliktuale duhet t’i bëjmë të dështojnë, apeloi Presidenti Begaj.
/a.r