Një burrë në New Jersey u godit nga rrufeja pasditen e së mërkurës. Eric Baumgartner, 39 vjeç po lyente vijat në një fushë kur u godit nga shkarkesa e fuqishme, raporton “CBS”.
Filmimet e një kamere nga shtëpia e një banori aty pranë tregojnë vetëtimën që përshkon qiellin shoqëruar nga një bubullimë. “Ishte si një bombë. Më pas pashë jashtë dritares. Djali ra në tokë”, thotë Jay Heday, një banor pranë fushës.
Oficeri R.J. McPartland po mbaronte turnin e punës kur ndodhi ngjarja. Ai shkoi menjëherë te fusha dhe nisi të bënte frymëmarrje artificiale.
“Mund të shihnim disa shenja djegieje në duart e tij kështu që mundëm të kuptonim si kishte ndodhur dhe e dinim se duhej të bënim disa shtypje mbi kraharor që zemra e tij të funksiononte sërish”, shpjegoi ai gjatë konferencës për shtyp.
Baumgartner është baba i dy djemve dhe punon prej 18 vjetësh për qytetin. Ai rifitoi vetëdijen gjatë kohës që po e dërgonin në spital.
Rreth 20 njerëz në SHBA vdesin çdo vit nga goditjet e vetëtimave ndërsa qindra të tjerë pësojnë lëndime.
/a.r