Leonardo Di Caprio ka fituar më në fund çmimin Oscar si aktori më i mirë në filmin “The Revenant”, ndërsa regjisori më i mirë u shpall Alejandro G. Inarritu për realizmin e këtij filmi.
Filmi më i mirë për skenarin u shpall “Spotlight”. Filmi shqiptar “Shok” nuk ka arritur të triumfojë por gjithsesi është pritur shumë mirë nga publiku. Në kategorinë e ‘Filmit më të mirë të Shkurtër’, ku ishte i nominuar filmi ‘Shok’, ka fituar filmi ‘Stutterer’. Kujtojmë se kjo ka qenë hera e parë që një film shqiptar nominohet për Oscar, dhe mund të konsiderohet si sukses.
Filmi “Shok” ka në qendër miqësinë e dy djemve në Kosovën e përfshirë nga lufta në 1998, peripecitë e jetës së përditshme, dhunën që ka zaptuar realitetin e tyre dhe vendimet që marrin që vënë në rrezik jo vetëm miqësinë e tyre, por edhe jetët e njerëzve përreth.
Fituersit:
1. Skenari më i mirë i përshtatur: “The Big Short”, filmi me karakter ekonomik që tregon historinë e krizës fiananciare të viteve 2000.
2. Skenari më i mirë origjinal: “Spotlight”, filmi gazetaresk që tregon historinë e vërtetë të abuzimeve që u bënë me fëmijët nga ana e priftërinjve të kishës së Bostonit.
3. Aktorja më e mirë në rol jo-protagonist: Aktorja Alicia Vikander, relativisht e re por që shkëlqeu në rolin e saj në filmin “The Dannish Girl”.
4. Kostumografia më e mirë: Jenny Beavan, e nominuar 10 herë për këtë kategori dhe fitoi këtë vit për kostumet e realizuara në filmin fenomen me 10 kandidime, “Mad Max: Fury road”.
5. Produksioni më i mirë: Colin Gibson për punën e bërë në filmin “Mad Max: Fury Road”
6. Artisti më i mirë i make-up-it: Lesley Vanderwalt, Elka Wardega dhe Damian Martin sërish për filmin “Mad Max: Fury Road”
7. Kinematografia më e mirë: Emmanuel Lubezki për filmin “The Revenant” i cili ka marrë 12 nominime. Lubezki fiton pas tre kandidimeve rresht që nga viti 2013.
8. Editimi më i mirë: Sërish “Mad Max: Fury Road”. Çmimi u rrëmbye nga Margaret Sixel e cila është dhe bashkëshortja e regjisorit George Miller.
9. Editimi më i mirë muzikor: Mark Mangini dhe David White, specialistët e tingullit në “Mad Max: Fury road”.
10. Miksimi më i mirë muzikor: Chris Jenkins, Gregg Rudloff dhe Ben Osmo, prapë për filmin “Mad Max: Fury road”
11. Efektet më të mira vizuale: Çmimin e marrin Andrew Whitehurst, Paul Norris, Mark Ardington dhe Sara Bennett për magjinë që krijuan në filmin fantastiko-shkencor “Ex Machina”.
12. Filmi i animuar me metrazh të shkurtër më i mirë: “Bear story” i cili tregon historinë e trishtuar të një ariu që ka humbur familjen e tij. Por filmi nuk është thjesht vizatimor pasi i gjithë rrëfimi simbolizon periudhën e vështirë të popullit kilian gjatë regjimit totalitar të Pinoçetit.
13. Filmi më i mirë i animuar: “Inside Out”, një realizim për të gjitha moshat duke qenë se tregon forcën e mendjes dhe zemrës së pastër të një fëmije.
14. Aktori më i mirë në rol jo protagonist: Mark Rylance për rolin e tij në filmin bazuar në histori të vërtetë “Bridge of spies”. Mark fitoi kundrejt Sylvester Stallone, aktorit aq të dashur nga publiku.
15. Dokumentari më i mirë me metrazh të shkurtër: “A Girl in the River: The price of forgiveness”, dokumentar i cili tregon sesi mbi 1000 femra çdo vit bëhen pjesë e vrasjeve për shkak të nderit në zonat rurale të Pakistanit.
16. Dokumentari më i mirë: “Amy”, jeta dhe karriera e këngëtares Amy Winehouse. Realizimi përloti të gjithë fansat pasi në të shfaqej një anë tjetër e saj, që askush nuk e kishte njohur.
17. Filmi më i mirë me metrazh të shkurtër: “Stutterer” një film që në pak minuta tregon izolimin e një njeriu nga bota e jashtme. Ai e ndërton botën e tij mbi marrëdhënien virtuale që ka krijuar.
18. Kënga origjinale më e mirë: “Writing’s on the wall”, një krijim i Sam Smith dhe Jimmy Napes për filmin aksion “Spectre”.
19. Kompozimi muzikor më i mirë: Çmimin e mori Ennio Morricone për krijimin e tij në filmin “The hateful eight”. Ennio dallohet për bashkëpunimet e shumta që ka patur me regjisorin Quentin Tarantino.
20. Regjisori më i mirë: Alejandro Gonzalez Inarritu për filmin “The Revenant”. Ky është viti i dytë rresht që Inarritu fiton këtë trofe.
21. Filmi më i mirë i huaj: “Son of Saul”. Tematika hebreje ka prekur gjithmonë jurinë e çmimeve Oscar dhe këtë gjë bëri dhe ky film i cili trajton vuajtjet dhe sakrificat e tyre.
22. Aktorja më e mirë protagoniste: Brie Larson, aktorja protagoniste në filmin dramatik “Room”. E gjithë historia vërtitet rreth përpjekjeve që ajo bën për të dalë nag dhoma ku e kanë mbyllur sëbashku em djalin e saj 5-vjeçar.
23. Aktori më i mirë protagonist: Leonardo Di Caprio, arrin të fitojë pas 4 nominimeve. Kjo është një ngjarje historike jo vetëm për aktorin por për të gjithë mbështetësit e tij.
24. Filmi më i mirë: “Spotlight”, me regjizor Tom Mçarthy dhe Mark Ruffalo, Michael Keaton dhe Rachel McAdams në role kryesore. Filmi bazohet në historinë e vërtetë të një grupi gazetarësh të cilët zbuluan skandalin e abuzimeve seksuale mbi fëmijët nga ana e kishës së Bostonit.