Gjokë Dabaj, një ish-mësues lindi në Stamboll, u rrit në Tivar, u arratis nga Prizreni, u internua në Tepelenë dhe tani jeton në Shijak. Ai ndan me gazetaren Rudina Xhunga historinë e jetës së tij, atëherë kur pa masakrën e Tivarit kur ishte 7 vjeç, për të kaluar në momentet e para të mësimdhënies në Nikshiq, arratisjen nga Prizreni në Shqipëri për të takuar Enver Hoxhën.
Zoti Dabaj tregon se si e internuan në Tepelenë, aty ku do të takonte edhe gruan e jetës. Dabaj rrëfen se si pas ’90-ës hoqi dorë nga mësimdhënia, pasi pa që ia shkatërruan shkollën e bibliotekën dhe nuk mundi t’u dilte për zot, por pavarësisht nuk hoqi kurrë dorë nga shkrimi.
“Unë kam një histori jete ndoshta ndryshe nga të tjerët. Unë kam lindur në Stamboll nga prindër me prejardhje nga Tivari dhe Ulqini. Nëna ime kur unë isha vetëm 9 muajsh erdhëm nga Stamolli në Shestan, në Ulqin. Pikërisht në këtë periudhë në ’39-tën nisi Lufta e Dytë Botërore. Babai nga Stambolli na dërgoi lajm duke thënë se në det kishte trazira, kështu unë dhe nëna ime qëndruam te gjyshi im deri në vitin 1948. Pas luftës erdhi babai im nga Stambolli dhe ai më takoi dhe pyeti: A është ky djali im? Unë isha 9 vjeç dhe ai pyeti: Pse nuk e keni çuar djalin në shkollë? Një daja im që ishte veteran lufte i tha se djali nuk di, madje as vijat e drejta nuk di t’i bëj.
Të nesërmen më mori dhe më çoi babai në një shkollë, kështu nisi shkollimi im. Në shkollë flitej sllavisht, ndërsa në shtëpi flitej shqip. Mësuesi që kisha i klasës së parë quhej Bozho. Babai më bleu në pazar një Abetare për të rritur të botuar në Prizren, ma solli në shtëpi dhe më tha: “Kjo është për këtu në shtëpi, ndërsa atje me Bozhon në shkollë mëso çfarë të duash.” Babai më mësoi alfabetin shqip dhe të lexoja. Pasi mbarova klasën e 8-të u shkëputa nga shkolla, pasi atje ku ndodheshim ne në Tivar kishte shumë presion ndaj shqiptarëve. Ishim të stigmatizuar dhe nuk ndiheshim mirë. Unë kam shkruar për masakrën e Tivarit, në atë kohë isha rreth 7 vjeç dhe ne bënim rrugën Ulqin-Shestan në pranverë me bagëti. Në këtë rrugë kur kalonim me bagëti nëna më mbante për dore. Duke kaluar rrugës unë në krah të spitalit që ndodhej atje pas disa njerëz të nxirë, të vrarë dhe gjysmë lakuriq që qëndronin atje të mbështetur. Unë u largova i frikësuar, ndërsa nëna më tha:”Bir, mos u tremb. Janë kosovarët.” Aty e dëgjova për herë të parë këtë fjalë dhe kjo ishte masakra e Tivarit që unë e pash me sytë e mi kur isha i vogël.
Në moshën 19 vjeç më doli bursa për mësuesi dhe më çuan në shkollën Normale të Nikshiqit me një grup shumë të mirë mësuesish. Ne ishim rreth 30 shqiptarë që donim të bëheshim mësues të gjuhës sllave për nxënësit shqiptarë. Më pas këtë e mësuam dhe nuk doja më të jepja mësim sllavisht për nxënësit shqiptarë. Unë vendosa të largohem dhe u largova në Prishtinë, ku për fat ekzistonte shkolla Normale e Gjuhës Shqipe. Për fat të mirë patëm ndihmë që të shkonim në Prishtinë dhe të mos na pengohej marrja e shpërnguljes. Në Prishtinë nisa shkollën shqip, që pasi u sistemova atje.
Ora e parë e mësimit të gjuhës shqipe ishte me profesor Dremush Shalën, i cili ishte duke shpjeguar Ndre Mjedën. Ai po recitonte vargjet e Mjedës “Po shkrin dëbora, dimri po shkon..” dhe unë gjatë gjithë kësaj kohe, i ulur në bankën e fundit pasi isha më i madh në moshë se të tjerët, po qaja në lot. E ndërkohë dhe profesori, këtej shkruante në dërrasë e nga ana tjetër fshinte edhe ai lotët. Ky ishte kujtimi im i parë nga mësimi i gjuhës shqipe në Prishtinë.
Në Prishtinë gjeta përkrahje të madhe nga studentët që ishin atje. Kam takuar Azem Shkrelin, por dhe në përgjithësi shkolla e Normales ishte në pozita patriotike vlimi. Sapo shkova ata më njohën me revistën “Jeta e re”, organi letrar që botohej në Prishtinë në atë kohë. Adem Demaçi dhe kapllan Kallushi apo Resuli më vonë që në atë kohë ishin në burgun e jugosllavëve, ishin idhujt tanë dhe novelat e tyre lexoheshin pafund. Më vonë ndodhi që njëri nga këta që ne kishim idhuj nuk vijoi më në atë rrugë. Kur u hapën rrugët ai kishte ardhur këtu, u njohëm e më pas patëm dhe kontradikta.
Ai botoi një libër me titull “Tradhtia”, ku rrëfente një histori tradhtie të jugosllavëve ndaj shqiptarëve. Një roman që u vlerësua shumë në Shqipëri. Për shkak të atij romani ai u shoqërua për të shëtitur gjithandej nëpër kooperativa dhe fshatra për të folur për luftën e kosovarëve. Gjatë kësaj periudhe që ai lëvizte unë isha i internuar në Tepelenë. Nga Prishtina për shkak të rrethanave u detyrova të lëviz në Gjakovë, dhe më pas nga Gjakova në Prizren, sepse rrezikohesha nga UDBA. Unë kisha organizuar një grevë me nxënësit e Normales në Gjakovë. Ne ishim kundër pushtetit Jugosllav, ato ishin tokat tona dhe kishin mbetur nën pushtetin Jugosllav, madje kërkonim dhe bashkimin me Shqipërinë. Në Prizren krijuam një grup patriotik ilegal dhe krijuam edhe një program. Ne donim të punonim për bashkimin e kombit në një shtet të vetëm. Lindi ideja që dikush nga ne duhet të kalonte kufirin për të njoftuar edhe qeverinë këtu. Më vonë morëm vesh se Bedrushi ishte lidhur me Adem Demaçin, i cili në çdo qytet kishte nga një grup.
U vendos që unë të kaloja kufirin dhe të vija këtu për të prezantuar programin tonë. Më dha një arsye se unë mund të kaloja nga Taraboshi më kollaj dhe me këtë ma mbushi mendjen. Bedrushi më jepte udhëzime se çfarë duhet të thosha kur të vija në Shqipëri. Ne e dinim se në Shqipëri ishin të mirë të gjithë.
Me Fadil Cukajn iu afruam kufirin dhe ai më pas do njoftonte grupin për kalimin tim. Aty ishte një bari dhe më thirri. I la dhentë dhe më pyeti se çfarë doja aty. Më pas thirri ushtarët e kufirit dhe ju tha se doja të dorëzohesha. Ushtarët më dolën njëri përpara e tjetri mbrapa që më lidhi. Ai dridhej më shumë se unë që isha i lidhur. Më pas më çoi në Tarabosh dhe atje takova komandantin e grupit të tyre. Për herë të parë aty takova partizanët e Shqipërisë.
Unë ju thashë se nuk do të jepja asnjë deklaratë por doja të lidhesha vetëm me qendrën. Me një roje më çuan në Zogaj, ku më pas atje erdhi një funksionar që më çuan në Shkodër. Në Shkodër më çuan në një shtëpi të ish-pronarëve me një roje. Më lanë për të fjetur e më sollën ushqim deri të hënën. Ditën e hënë ka ardhur zv.ministri i rendit i asaj kohe, Mihallaq Gjici, ai foli me mua dhe më tha se do të vinim në Tiranë. Unë gjatë udhëtimit isha kurioz të shihja Shqipërinë, por në një moment zv.ministri kthehet dhe më thotë: “Shiko,, ne këtu kemi po aq armiq sa keni edhe ju atje, prandaj mos e hap atë dritare. Ti ke kërkuar të shkosh fshehtas.” Në Tiranë më kanë sjellë te Kinostudio pranë një lavanderie. Unë ju thashë se duhet të rrija vetëm 7 ditë, se në të kundërt sekreti do të dilte. Ishte viti 1962 dhe Shqipëria nuk kishte marrëdhënie me Jugosllavinë. Ata donin të dinin programin tonë dhe objektet e pushtetit ku ishin. Këta që më pyesnin ishin hetues nga ministria e Brendshme. Më pyetën për shumë gjëra me hollësi dhe për kazermat ushtarake në Tivar. Unë kisha ardhur te shteti im dhe nuk rezervova asgjë për shtetin tim.
Kur periudha prej 7 ditësh po kalonte, unë ju thash ushtarëve se unë nuk kthehesha dot më pas, pasi e kisha humbur ilegalitetin. Në një moment erdhi një njeri që dukej si njeri i madh, me arrogancë më tha: ”Vërtet kaq trim je ti, sa dukesh. Po ju buzëqumësht do ta çlironi Kosovën?”. Për të cilin më vonë e mora vesh se ishte Asim Aliko. Të nesërmen më dërguan në Shijak, që ishte një qendër emigracioni ku mblidheshin të gjithë ata që kalonin kufirin. Në Shijak qëndrova për rreth 4 muaj dhe hetues atje kisha një person që përpara disa vitesh kishte kaluar kufirin po njësoj si dhe unë.
Më pas më thanë se do më çonin në një vend ku të kisha mundësi për punë dhe për shkollim dhe do kërkosh strehim politik. Unë kërkova strehim politik. Me një makinë më çuan në Tepelenë dhe më dorëzuan në degën e Brendshme. Aty më pajisën me leje qëndrimi dhe punoja në një fermë. Nga profesorët e shkollës së mesme të Tepelenës unë mbahesha mirë. Me familjen jam lidhur vetëm përmes Stambollit me letra në largësi e në vështirësi.
Në Tepelenë Kadri Hasbiu vinte për gjah në një zonë aty afër ku unë isha. Ata të fermës i kishin kërkuar Kadri Hasbiut se kishin nevojë për një normist në fermë. Një herë që u ndodhën të gjithë të mbledhur kreu i Bashkimit Profesional u shpreh dhe tha: “Ne në mesin tonë kemi një jugosllav, të cilin e kemi mbajtur si djalin tonë, por në fakt kemi mbajtur gjarprin në gji”. Madje në atë rreth ishte edhe gruaja që kam sot, pasi ishte nga Përmeti. Dhe këtu nisën akuzat ndaj meje sikur kisha folur kundër partisë dhe po përhapja ide të kundërta. Më pas në një mbledhje ata dolën në një përfundim që shteti të më çonte në një vend tjetër se ata nuk pranonin më të më mbanin në rrethin e tyre. Në atë kohë kishte dalë e drejta e fletërrufeve dhe shkruaja aty se; “armiq të këtij vendi janë kreu i bashkimit Profesional dhe Sekretari i Partisë, që duan të më shpallin mua armik.” Fletërrufeja ishte grisur.
Opinioni në fakt aty ishte në krahun tim dhe unë ashtu ndenja deri sa një ditë më thirrën e më thanë se më kërkonin në degë. Shkova te kryetari dhe qava shumë, isha i mbaruar. Më pas më thanë se partia nuk ka gjë me ty dhe ata shokët kanë gabuar. Më vonë ndodhi që ky që kishte shpifur kundër meje shpifi dhe kundër Qazim Shehut. Ky njeri shpifi për ta sikur ata kishin një histori dashurie dhe ata persona vranë veten në zyrat e Partisë.
Ky njeri quhej Pelivan, edhe pas kaq vitesh që unë shkova e kërkova ai atje në shtëpi ishte.
Më ra rasti që unë të kërkoja të drejtën për studim dhe nga të gjitha unë kërkova të studioja për gjuhë dhe letërsi shqipe. Aty ndryshoi jeta ime. Kur isha në vitin e tretë të Fakultetit shkova në Tepelenë pasi mora vesh se gruaja kishte mbaruar 2-vjeçaren në Shkodër dhe ishte kthyer mësuese në Tepelenë. Ajo ishte vajza që më kishte mbetur në mendje. Kështu shkova në Tepelenë dhe e pyeta për Fotininë. Por, familja e saj kishte kundërshti nuk donte në atë kohë. Propaganda na kishte bërë të dyshonim te njëri-tjetrit. Fotinia ishte mbesa e Apostol Barko Malishovës. Kështu vendosëm të martohemi pa lejen e prindërve.
Pas ’90 unë e pash të arsyeshme të mos isha më mësues, sepse u thyen të gjitha xhamat e shkollave, unë kisha një bibliotekë që u shkatërrua me 12000 libra në shkollë, krijuar ndër vite që ishte një mbështetje për gjithë atë shkollë aty. Dhe nuk isha më në gjendje t’i dilja më zot asaj shkolle për të vazhduar. Ishte një rregull që dilje në pension parakohe dhe kërkova të dalë në pension.
Kam qenë 5 vite i internuar në Tepelen, por unë nuk i shikoj gjërat si ‘mushka që gjuan me shkelma’. Por unë mendoj se Enver Hoxha dhe koha e Enver Hoxhës duhet të vlerësohet. Enver Hoxha çliroi bujkrobërit e kohës së Turqisë dhe unë mendoj që ai ka vendin e vetë. Duhej në çdo qytet të kishte monument të Enver Hoxhës, si Xhorxh Washingtoni që ndodhet në SHBA dhe nuk mundet askush të thotë pse e mbani këtë. Gabime ka bërë, por thelbësorja është që nuk na lejohet ne si komb të sillemi aq të cekët”, rrëfeu Dabaj në Dritare TV.
/a.r