Gjykata e Posaçme kaloi sot për gjykim, pas rreth një viti pezullim, çështjen penale ndaj të pandehurve: Dritan Rexhepi, i cili ndodhet në arrest në Ekuador, Gentian Funiqi, i arrestuar në Spanjë, Geraldo Martini, Aldo Majnishta, Martin Bleta, Korado Geshtenja e Artan Docaj, të cilët akuzohen si grup i strukturuar kriminal për rrëmbimin e Jan Prengës.
Kujtojmë se, Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz 17 janarin e vitit 2020 me porosi të Dritan Rexhepajt dhe Gentian Funiqit.
Pse u urdhërua dhe si u organizua pengmarrja e Jan Prengës?
Nga hetimet e SPAK rezulton se të pandehurit Dritan Rexhepi, i cili aktualisht rezulton të jetë i burgosur në shtetin e Ekuadorit dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) me precedentë penal në fushën e narkotikëve, në fund të muajit dhjetor 2019 kanë urdhëruar rrëmbimin e viktimës, Jan Prenga, me banim në Kamëz, Shqipëri.
Kjo, pasi sipas tyre, shtetasi Astrit Prenga, vëllai i viktimës ka vjedhur një sasi kokaine në Portin Portsmouth, Angli, që ju përkiste atyre, e cila ishte importuar nga Ekuadori në Angli. Ky rrëmbim është urdhëruar prej tyre me qëllim që Astriti dhe personat e tjerë të kthenin lëndën narkotike.
Ndërsa organizimi i rrëmbimit është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja, ekzekutimi i këtij rrëmbimi është kryer në Shqipëri, në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar.
Ndërkohë, SPAK thotë hetimet vazhdojnë në lidhje me identifikimin, grumbullimin, si dhe sigurimin e provave në kuadër të një hetimi të plotë e të gjithanshëm për personat e tjerë që janë të përfshirë në këtë ngjarje.
/a.r