Rithemelimi nuk dëshironte një bashkëpunim me Partinë e Lirisë në zgjedhjet vendore të 14 majit, por rrethanat e detyruan një koalicion të tillë. Kështu u shpreh deputeti i Rithemelimit, Luan Baçi i cili tha se koalicioni ‘Bashkë Fitojmë’ ishte një zgjidhje e detyrueshme nga kushtet e krijuara nga mazhoranca që sipas tij ka mbajtur ‘peng’ vulën e PD.
Analisti Alban Daci tha se ‘Bashkë Fitojmë’ është një aleancë pa të ardhme që nuk ngjall asnjë shpresë tek shqiptarët.
“Keni krijuar një aleancë që nuk ka asnjë shpresë. Shqiptarët kanë arritur në atë fazë që është të thonë më mirë të mbajmë këtë që është sesa të vijnë këta të dy. Kjo është e vërteta o Luan”-tha Daci.
Deputeti e pranoi argumentin Dacit dhe u shpreh se bashkëpunimi me Metën nuk ishte zgjidhja e duhur për të rrëzuar Ramën nga pushteti por ishte një zgjidhje e momentit dhe jo afatgjatë.
“Nuk kishim asnjë rrugëzgjidhje tjetër. Ishte një koalicion i detyruar nga kushtet që na imponoi mazhoranca dhe ata që në shumë bashki vunë lista për këshilltarë bashkiakë dhe disa kandidatë për kryebashkiakë. Nuk është zgjidhja e duhur për të sjellë opozitën në pushtet por zgjidhje e momentit. Na duhet një bashkim i gjithë opozitës”- tha Luan Baçi./m.j