Nga Leart Kola
“Mirë, por përveç higjienës, mjekësisë, arsimit, verës, rendit publik, ujitjes, rrugëve, sistemit të ujit të freskët dhe shëndetit publik, çfarë kanë bërë romakët për ne…?”
Monty Python e ka përkufizuar shumë mirë, nëpërmjet kësaj fraze, gjendjen kur debati publik transformohet në një mohim total të së vërtetës. Për fat të keq, kjo fushatë ishte e tillë.
Them për fat të keq, sepse brenda shoqërisë shqiptare ekziston një potencial real për të debatuar në terma politikë, për ta politizuar shoqërinë dhe për të marrë më të mirën prej saj. Në këto zgjedhje kjo nuk ndodhi edhe për faktin, që tek ne, debati publik drejtohet nga disa të rrjedhur!
Megjithatë, ka një lajm të mirë mes morisë së lajmeve të këqija që ndodhën në këtë fushatë, lajmi është që më në fund ka një ideologjizim të hapësirës politike, për herë të parë ka dalë në skenë një parti e Majtë si Partia Bashkë, ka një PD zyrtare që tenton të qëndrojë në qendër dhe pse duket më shumë në ajër dhe një Sali Mete që po kombinojnë konservatorizmin dhe nacionalizmin e shekullit të kaluar me populizmin e ditëve tona…
Të gjithë këto subjekte konkurojnë kundër PS-së, e cila duke qenë se u fut në 10-vjetorin e pushtetit ku 4 të fundit i ka pasur absolut, mbulon një spekter të papërcaktuar, dhe pse zyrtarisht është një parti e qëndrës.
Sidoqoftë, qendra në Shqipëri, si kudo, po bëhet përherë e më e vështirë për t’u mbajtur dhe gradualisht, PS do duhet të gjejë pozicionimin e saj politik. Shpresa është që të zhvillojë një të majtë progresiste anti-dogmatike. Kjo, sepse po shihet në horizont që do ta menaxhojë pushtetin për shumë kohë.
Në fakt, kryetari i kësaj partie dhe Kryeministri Rama e nisi një iniciativë pak para zgjedhjeve, ku foli për të drejtat e punëtorëve. Fjalimet e tij ishin të mbushura me kritika për atë pjesë të “kapitalistëve” që surplusin e tyre e marrin nga puna e keqpaguara e punëtorëve, por prapë ngeci… Asnjë iniciativë ligjore nuk u ndërmor, asnjë formë komiteti qeveritar, asnjë dialog të paktën me punëtorët, i gjithë komunikimi i drejtohej sipërmarrësve që të ishin pak më zemërgjerë me punëtorët e tyre (?!)
Këtu të majtët mund të kishin debatuar me Kryeministrin për bërjen me detyrim të sindikalizmit, mbase bërjen e një reforme që mund t’i japë më shumë të drejta punëtorëve në procesin e marrjes apo heqjes nga puna. Kishte potencial ky debat që të zhvillohej dhe realisht të përmirësonte jetën e punëtorëve, por e majta vendosi të deklaronte që do “hidhte kullat e oligarkisë në erë”!
Në hajvanllëk me brirë, e para, se nuk e bëjnë dot, dhe e dyta, se këtu problemi nuk është që mijëra punëtorë e profesionistë të mbesin pa punë, duke i “hedhur në erë” frontin e punës, por të gjehen mënyra si të përmirësohet jeta e tyre, sepse ndërtimi do vazhdojë dhe jeta do zhvillohet. Të thuash që do ta kthejë Shqipërinë në 90 është më së paku reaksionare, nëse nuk duam të themi idiote.
Tony Blair (Kryeministri i fundit që e ka sjellë Partinë Laburiste në pushtet në Britani) thotë: “Kur vlerat e të majtës pengojnë zhvillimin, ato nuk janë më vlera, por anti-vlera. Sepse një i majtë i mirë është ai që e kupton realitetin dhe vepron me forcë brenda tij. Një i majtë i vërtetë nuk është ai që vetëm humb zgjedhje. Kjo formë viktimizimi është anakronike dhe nuk i përshtatet fare këtij shekulli”.
SHKOLLAT…
Kishte potencial debati për shkollat, po të bëhej në mënyrë të arsyeshme dhe duke parë faktet. Në Tiranë, para kësaj fushate, është fakt që, janë ndertuar 40 shkolla të reja dhe ndryshe nga para 8 vjetësh, ka më shumë shkolla që po ndërtohen se shkolla që po rrënohen.
E vërteta është gjithmonë progresiste dhe duhet të thuhet, por debati mund të ishte se ç’do të bëhet brenda këtyre shkollave? A kanë fëmijët mjetet didaktike të këtij shekulli, që të bëhen të aftë për të përballuar jetën? A jemi duke ndërtuar një sistem arsimor sfidues apo është një parkim kalamajsh? A ka mjaftueshëm hapësira ku të bëhet sport? A ka menca që fëmijët të ushqehen dhe pavarësisht nga ç’familje vijnë të marrin të njëjtat vitamina? Sepse në një shoqëri të drejtë është ajo, pra vetë shoqëria që i jep mundësinë çdo fëmije që të ketë një start të barabartë në jetë, dhe ushqimi është pika më e rëndësishme.
Dhe në vend të këtyre debateve, ne pamë një histeri për një çerdhe që mungonte në Kashar, ku nga dembelizmi, as nuk kishin kontrolluar për të parë që po ndërtohej… Ky është një dembelizëm politik i niveleve olimpike, dhe nëse ka diçka që suksesi në politikë urren, është dembelizmi. Lul Basha është shembull i gjallë i saj.
Politikat Feministe
Feminizmi ishte një politikë që mund të kishim debatuar. Sot kemi më shumë gra në këshillat bashkiake dhe parlament se kurrë më parë. Madje, kemi një qeveri që ka më shumë gra në përbërjen e saj se kudo tjetër në botë.
Numrat janë të rëndësishëm dhe duhen pranuar. Por a kanë qenë numrat relevante për të frenuar dhunën në familje dhe femicidin? Machoizmi, i cili shpesh ka sjellë vrasjen e grave nga burrat, ka vazhduar i pandërprerë madje do guxoja të thoja vetëm nga ndjekja e lajmeve që është shtuar.
Unë nuk e di, flas në ajër sepse nuk kam statistika, një tjetër provë e indiferencës publike ndaj këtij problemi, por ajo që di me siguri është se nuk kam dëgjuar nga gratë në qeveri asnjë iniciativë ligjore kundra këtij fenomeni, madje as nuk kam parë që të dalin në një manifestim solidariteti për ndonjë nga gratë e vrara.
Në fund, ato të qeverise apo opozitës nuk i kam dëgjuar ta përmendin në fjalimet e tyre femicidin që vret. A mos vallë ky numër kaq i madh i grave në qeveri është një shprehje alternative e machoizmit të burrave?
Duhet të flasim për këto, dhe për grupet e margjinalizuara. Këto janë tema të rëndësishme, moderne dhe janë e ardhmja, qofshim dakord ose jo. Por edhe kësaj here projektorët e fushatës u fikën dhe dhuna vazhdon edhe sot, në erresirën private të shtëpive.
Asnjë problem social nuk u prek në fushatë, fare asnjë. Ose u përmenden dy grupe të cilat janë anë të së njejtës medalje në këndvështrimin tim të “varfërit që shesin votat” dhe “kriminelët që i blejnë ato”. A nuk janë këto prova që shoqëria jonë nuk garanton sot një jetë të dinjitetshme në zonat e varfra, ku e vetmja alternativë per të dalë nga varfëria mbetet krimi?
Edhe britanikët, me qeverinë më sociopate dhe anti-progresiste në historinë e saj, e identifikojnë problemin e veriut të Shqipërisë më mirë se ne. Ata financojnë programe sociale dhe punësimi që njerëzit mos ikin, ndërsa ne i prezantojmë “shtëpitë e barit” në forma spektakolare televizive, me gazetarë të kronikës së zezë që jane më VIP se ata të kronikës roze.
Cili është reflektimi për këto zona? Ne nuk folëm këtë fushatë për këto fenomene sociale. I denoncuam ato si të padenja dhe shpallëm njësoj fajtor dhe kriminelin dhe të varfrin…
Problemi i kësaj fushate është që kemi vetëm një Parti, dhe jo pse ajo vjedh votat, siç deklaron Saliu por për gjithë gjërat që thamë më siper. Sepse opozita është e paaftë të kuptojë shoqërinē në të cilën po vepron. Në vend që shkëputjen ta kishte Partia në pushtet, e kanë subjektet në opozitë. Në keto kushte, ka më shumë shanse që ky debat të ndodhi nepermjet PS e shoqerise se mes PS dhe nje prej partive qe sot ekzistojne.
Ne kushtet aktuale elektorale per Partine Socialiste, nuk shtrohet me pyetja a do ti fitoje apo jo zgjedhjet? Por çfare mekanizmash demokratike do krijohen per te ngjizur nje debat ne shoqeri, qe Fitorja e PS te jete nje lajm i mire e fitore per Shqiperine, e jo vetem per anëtaret e saj; se si duhet mbushur ky vakuum…
Siç e thashe me siper, Shqiperia po ndahet perhere e me shume ne te majte e te djathte, ne internacionalist dhe sovranist, jo sepse papritur u ndriçuan lideret e ketyre partive, por se eshte vete shoqeria qe i shtyn drejt llogoreve. Kjo është dicka e re për tu përballur.
Shqiperia ka ndryshuar, nuk eshte me ajo e 2013, e bashke me te kane ndryshuar dhe sfidat. Nuk mund te vendosim me metrin e krahasimit mes atyre qe jane sot dhe atyre qe ishin dje ne pushtet. Sfidat tani jane me te mprehta dhe mbi te gjitha jane rajonale dhe jo vetem kombetare, per mos te thene qe jane europiane.
Ne e gjejme veten ne kete mes, pa mundesite ekonomike per te perballuar kete situatë e cila mes luftes ne Ukraine dhe krizave te njepasnjeshme, na ben ne pa dashjen tone pjese e nje loje shume të madhe e me te pakontrollueshme, të paktën për mekanizmat administrativ qe kemi ne dispozicion. Per kete kam besuar gjithmone qe na duhen iniciativa si Open Balkan, bashkerendime dhe organizime rajonale. Na duhet vemendje ne ekonomi, ne burime njerezore për të modernizuar administratën jo vetëm në kuptimin njerëzor por mbi te gjitha atë të shërbimeve.
Partia Socialiste duhet të vazhdojë të promovojë paqen në rajon dhe me koston e humbjes së popullaritetit sepse nje leadership i drejtë ben gjënë e duhur jo atë që pëlqehet më shumë. Kjo është një sfidë për të cilën askush nuk na përgatiti më parë dhe për të cilën ne duhet të jemi gati.
Por nuk mund të jemi gati si një vend neoliberal, ky do ishte shkatërrim për ne, do ishte katastrofë sociale. Prandaj, sfida e viteve që do të vijnë për këtë parti është të gjejë mes rremujës së madhe të kapitalistëve të rinj që e rrethojnë forcën brenda vetes, për të ndërtuar një shtet social.
Për këtë duhet një paketë e re për më shumë reforma radikale sociale, për më shumë përfshirje të njerëzve me pamundësi të ndryshme, sorry, but is the right time to tax the rich, dhe kjo duhet të bëhet sa më shpejt, përpara se dallga e globalizmit ta përfshijë Shqipërinë në vorbullën e saj, e pasojat për njerëzit të jenë katastrofike
Në fund, gjëja që dua të them është se shpesh herë, sidomos kur kalon shumë kohë dhe në mandatin e tretë apo të katërt administrata, e gjen veten në kushtet e menaxhimit të situatës, e ka të vështirë të marrë lidershipin për çështje të ndryshme dhe transformohet në një zjarrfikës i zjarreve sociale që ndizen lart e poshtë.
Për vitet që vinë, qoftë ky mandat i sapo filluar i Bashkive apo ai në mes të Qeverisë, duhet të kuptojnë që njerëzit kanë aftësinë të falin vendime të gabuara, por nuk e falin asnjëherë dëmin e atyre që mbajnë poste dhe nuk marrin vendime…
Botuar në DITA