Një tjetër episod dhune është regjistruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku policia qëlloi ndaj një adoleshenti afro-amerikan, i cili më pas ndërroi jetë.
14-vjeçari Jor’Dell Richardson u qëllua në bark nga një oficer jashtë një dyqani në Aurora të Kolorados, pasi së bashku me disa shokë të tij kishte vjedhur cigare elektronike.
Nga publikimi i videove të marra nga kamerat e trupit të policëve të përfshirë në këtë ngjarje, u zbulua se djali tentoi të arratisej , por u bllokua nga një prej oficerëve.
Menjëherë pas arrestimit të 14-vjeçarit, në vendngjarje mbërriti një tjetër polic , i cili fillimisht e kërcënoi se do ta qëllojë dhe më pas tërhoqi këmbëzën. Lutjet e djalit ishin të kota.
Oficeri që arrestoi djalin quhet James Snapp. Pikërisht atij Jor’Dell i thotë “Ndalo të lutem. Më ke kapur”. Oficeri tjetër, ai që e vrau, quhet Roch Gruszeczka. Në video mund ta dëgjoni tek thotë. “Lëreni armën e ndyrë. Unë do të të qëlloj”.
Në fakt, 14-vjeçari nuk kishte armë të vërtetë, por një pistoletë me ajër. Shefi i Departamentit të Policisë në Aurora, Art Acevedo tha në një konferencë për shtyp se një hetim është hapur. “Pavarësisht rezultatit, kjo është një tragjedi sepse një i ri ka humbur jetën”.
/a.r