Policia e Korçës reagoi pas deklaratës së PD, për manipulimin e ngjarjes së ndodhur në 26 shkurt në Kolonjë. Blutë lokalë i kërkojnë PD të mos shfrytëzojë ngjarjet për të bërë politikë.
Më tej sqarohet gjithë dinamika e veprimeve hetimore, pas denoncimit të kallëzuesit në policinë e Ersekës, mbërritjes së grupit hetimor në vendngjarje, marrjen e provave, dëshmive, si dhe kontrollet në banesë për armën e krimit.
Por, theksohet në reagimin e policisë, në kushtet kur nuk është gjetur arma, Prokurori urdhëroi procedimin në gjendje të lirë të shtetasit të dyshuar.
Më poshtë reagimi i plotë:
“Policia e Korçës sqaron opinionin publik, lidhur me ngjarjen e ndodhur në datën 26 shkurt 2016, ndodhur në Kolonjë, se ka kryer të gjitha veprimet proceduriale dhe materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprën penale “Kanosje”, për shtetasin e dyshuar O.M., 38 vjeç, banues në Ersekë. Procedimi ndaj tij filloi pas kallëzimit të shtetasit Z.B., 52 vjeç, banues në Taç – Kolonjë, se pas një konflikti për motive të dobëta në një lokal është kanosur me armë. Policia lokale kreu veprimet e plota hetimore, si dhe kreu disa kontrolle, por nuk u konstatua armë. Në kushtet kur nuk është gjetur arma që pretendon kallëzuesi, Prokurori i çështjes vendosi procedimin në gjendje të lirë të autorit të dyshuar. Ndërkohë grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të ngjarjes. Gjithashtu, sqarojmë se ngjarja është pasqyruar e plotë në njoftimin e datës 27 shkurt 2016 dhe mund të gjendet lehtësisht në faqen zyrtare të Policisë së Shtetit. Policia vendore e Korçës gjen rastin edhe njëherë të ftojë Partitë të mos shfrytëzojnë çdo ngjarje për të bërë politikë, por të lënë Policinë të kryejë detyrën e saj, në shërbim në qytetarëve”.