Policia e Kosovës ka njoftuar se ka konfiskuar 11 pajisje për prodhim të kriptovalutave në fshatin Uglar të Zubin Potokut.
Në njoftimin e Policisë së Kosovës thuhet se qytetarët e lagjes ku kanë qenë të instaluara pajisjet për prodhim të kriptovalutave raportuar rastin në polici pasi sic thuhet, ata kanë pasur probleme të vazhdueshme me energji elektrike që si pasojë ka dëmtuar pajisjet shtëpiake.
“Policia e Kosovës bazuar në detyrat dhe autorizimet ligjore kanë ndërmarr veprime të menjëhershëm dhe ka identifikuar lokacionin [shtëpinë] e personit të dyshuar dhe në shtëpi janë gjetur njëmbëdhjetë pajisje për prodhimin e kriptovaluatave [Bitcoin]”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia thotë se nuk ka gjetur në shtëpi personin e kërkuar meqë “i dyshuari nuk gjendej në shtëpi pasi që herë pas here udhëton nga Beogradi i Serbisë dhe viziton shtëpinë lartcekur [në Zubin Potok].
Që nga viti i kaluar Policia e Kosovës ka zhvilluar dhjetëra aksione për konfiskimin e pajisjeve për prodhimin e kriptovalutave. Në katër komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq janë konfiskuar qindra pajisje dhe në të kaluarën janë identifikuar ‘ferma’ për prodhim të kriptovalutave.
Prodhimi i kriptovalutave është i ndaluar në Kosovë që nga shfaqja e krizës energjetike vitin e kaluar. Prodhimi i kriptovalutave në vitet e fundit ka qenë i koncentruar në katër komunat veriore pasi që atje, qytetarët nuk e paguajnë energjinë elektrike që nga viti 1999.
/a.r