Artisti i mirënjohur Gjergj Leka ka rrëfyer këtë të Shtunë në programin e “Rudina” në Tv Klan, mbrëmjen e maturës së tij, e cila në fakt është e pazakontë.
Ai thotë se për shkak të punës, iu desh të mbaronte Liceun natën dhe rrjedhimisht maturën e mbylli me burra më të mëdhenj në moshë.
Gjergj Leka: E para e punës mua më përjashtuan për herë të dytë në vitin e 4-ët të Liceut prej mungesave se mora orkestrën në RTSH dhe nuk shkoja më në shkollë. Rasti im është shumë i bukur se unë kam bërë të gjitha mbrëmjet e maturës nga viti ’77 deri në ’88, me orkestrën. Mbrëmjet e maturës unë i kam shijuar në një mënyrë krejt tjetër, dhe sa emra të mëdhenj që sot ndoshta janë dhe politikanë, kanë dalë në pension shumë…Janë njohur në mbrëmjen e maturës dhe janë martuar më vonë.
Por, më e bukura është se unë vitin e fundit në Lice e mbarova Liceun natën, ngaqë isha në punë dhe isha pa shkëputje nga puna. Mbrëmjen e maturës unë isha më i vogli, llogarite se në Liceun e natës ishin dhe burra nga 40 vjeç. Dhe unë kam një mbrëmje mature të paparë, në lokal me raki dhe fërnet. Ishim të gjithë burra!
-Ej shumë e veçantë kjo histori, se kisha dëgjuar ndonjëherë.
Gjergj Leka: Më të rinjtë ishim unë dhe Kujtim Prodani ndjesë pastë! Atë ditë që ne kemi bërë mbrëmjen e maturës, ziente Tirana nga mbrëmjet e maturës. Mbaj mend ishin data të caktuara, nuk është si sot që ti gjen një lokal. E mbaj mend dhe ku, te restorant “Durrësi”. Në ’81-in mbrëmjet e maturës bëheshin 90% në palestër të shkollës, se kishim kapur akoma atë modën siç duhet. E kam festuar me xhaketën e bardhë të TVSH-së, atë e kam akoma. Kam qenë i pari që e kam veshur.
/a.r