Ish-presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur aktakuzën federale kundër tij ‘qesharake dhe të pabazë’. Ky është reagimi i parë i Trump në daljen e tij të parë publike që nga momenti i shpalljes së akuzave. Një aktakuzë prej 37 pikash e bërë publike të premten e akuzon ish presidentin për mbajtjen e dokumenteve sekrete në pronën e tij në Mar-a-Lago.
Në dy fjalime të fushatës Trump tha se aktakuza përbënte “ndërhyrje në zgjedhje” nga FBI-ja “e korruptuar” dhe departamenti i drejtësisë. Ai ka mohuar çdo veprim.
“Akuza qesharake dhe të pabaza ndaj meje nga Departamenti i Padrejtësisë i armatosur i administratës Biden do të jetë ndër abuzimet më të tmerrshme të pushtetit në historinë e vendit tonë. Shumë njerëz e kanë thënë këtë, madje edhe demokratët. Ky persekutim i egër është një shpërfytyrim i drejtësisë” u shpreh ish presidenti.
Prokurorët amerikanë bënë publike aktpadinë prej 37 pikash kundër ish presidentit Donald Trump të premten duke e akuzuar ish-presidentin se kishte vënë në rrezik disa prej sekreteve më të ndjeshme të sigurisë të vendit pas largimit nga Shtëpia e Bardhë në vitin 2021. Analistët thonë se ajo tregon se Trump, i cili ka thënë se është i pafajshëm, pati një rol aktiv në fshehjen e dokumenteve nga autoritetet që donin t’i merrnin ato.
Sipas aktakuzës, ish-presidenti Donald Trump ka kryer shkelje në mënyrën se si ka trajtuar dokumente të klasifikuara që përfshinin informacione në lidhje me programin e fshehtë bërthamor të SHBA-së dhe pikat e dobëta të mundshme të vendit në rast të një sulmi.
/f.stafa