Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, priti në një takim Shi Yaobin, kryetar i Komitetit për Çështjet Buxhetore pranë Komitetit të Përhershëm të Asamblesë Kombëtare Popullore të Kinës.
Në një njoftim zyrtar në rrjetet sociale, ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se në takim u diskutua mbi mundësinë e shkëmbimit të përvojave, rritjen e investimeve dhe intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.
Në njoftimin e Ambasadës së Kinës në Shqipëri bëhet e ditur se palët prezantuan pasqyrën e zhvillimit ekonomik dhe shkëmbyen mendime për marrëdhëniet kino-shqiptare dhe bashkëpunimin ekonomiko-tregtar mes dy vendeve.
“Të dyja palët presin të forcojnë më tej bashkëpunimin mes dy vendeve në fushat e ekonomisë dhe tregtisë, turizmit, zhvillimit të gjelbër etj., në kuadër të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e Europës Qendrore dhe Lindore dhe Komisionit të Përbashkët Ekonomik dhe Tregtar Kinë- Shqipëri, si dhe mekanizmave të tjera”,- thuhet në njoftimin e Ambasadës së Kinës në Shqipëri