Brenda 12 muajsh aksi Thumanë-Kashar do të ketë përfunduar. Lajmin e dha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë inspektimit të kësaj rruge së bashku me kryeministrin Edi Rama. Sipas saj deri më tani janë dorëzuar 40% e punimeve dhe brenda këtij viti do të ketë mbaruar e gjithë traseja.
Balluku theksoi se edhe në këtë aks që është pjesë e korridorit blu, krahas autostradës janë ndërtuar edhe rrugët paralele pa pagesë.
“Në gjurmën Thumanë-Kashar punimet kanë ecur shumë mirë dhe bëhet fjalë për 40% të punimeve të dorëzuar. Gjurma është 21 km dhe rrugët paralele që ndërtohen u japin mundësi qytetarëve të zgjedhin autostradën e shpejtësisë 140 km në orë dhe me pagesë, ose rrugët e tjera paralele. I gjithë korridori blu do të jetë me rrugë paralele. 16 km rruga paralele”.
Balluku bëri të ditur se po punohet njëkohësisht në të dy kantierët, ndërsa autostrada krahas korsive do të ketë edhe korsi emergjence.
“Kemi autostradën 2 herë 2 korsi 3. 75 metra dhe korsi emergjence me nga 3 metra secila. 11 ura 12 nënkalime dhe dy pjesë së lidhjes së nënkalimeve me disnivel. Procesi më i rëndësishëm është lidhja e nyjës së Rinasit. Këto projekte të hapura duhet të vendosen në mënyrën e duhur që të mos kemi mbivendosje të projekteve dhe të gjitha do të jenë në të njëjtën kohë dhe ARRSH do të jetë mbikëqyrësi. Thumanë-Kashar është shumë i avancuar kemi interes të jetë më shumë e avancuar. Problemi më i madh që hasim është Fushë-Kruja e ngarkuar sidomos në verë. Brenda vitit mbarojë e gjithë traseja, kurse brenda 12 muajsh të jetë e dorëzuar si rrugë”.
Balluku foli edhe për segmentet e tjera të korridorit blu, ku aksi më i komplikuar, sipas saj do të jetë Kashar-Lekaj, që do të ndërtohet plotësisht i ri.
“Segmenti Muriqan-Milot e kemi çuar fokusin te lidhja në urën e Zusit. Pjesa e parë do të nisë nga ura e Zusit. Shumë shpejt do kemi dizajnin për ta pasur dhe kuptuar si do të shkojë. Milot- Thumanë jemi në momentet e fundit të negociatës, e kemi bazën kontraktuale dhe brenda këtij muaji firmoset aksi Milot-Thumanë duke i dhënë mundësi që aksi të hapet menjëherë.
Aksi më i komplikuar është Kashar-Lekaj. Është 100% gjurmë e re do të jetë gjeologji problematike dhe një zonë që do të ndërtohet nga e para me tunele dhe ura dhe jemi në fazën e negocimit. Një problematikë që kemi është fakti që kemi një lidhje të By Pass-it të Tiranës dhe këtij segmenti dhe po koordinojnë detajet e fundit mes stafeve që punojnë për By Pass-in e Tiranës dhe stafit të këtij aksi.
Pjesa Lekaj-Fier është totalisht e përfunduar dhe mund të nisë puna. Ka shumë zhvillim ekonomik në të dy anët e rrugës. Ka vend për shpronësim. Të gjitha akset e tjera janë funksionale. Me përfundimin e Levan-Vlorë është formatuar disi në faza të ndryshme i gjithë korridori”.
/a.r