Këshilltari demokrat në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Leonard Olli ka reaguar pas deklaratave të kryebashkiakut Erion Veliaj. Olli e quan maskaradë aktivitetin e sotëm të organizuar nga bashkia për fëmijët. Ai akuzon Veliajn se ka shkelur të gjitha ligjet duke ndërhyrë pa leje tek liqeni, ndërsa i tregon se do të përfundojë në burg.
“Veliaj vijon maskaradën në emër të fëmijëve! Por vetëm një gjë harron të thotë: se ka ndërhyrë pa leje te Liqeni, duke shkelur të gjitha ligjet që garantojnë paprekshmërinë e tij! Me zell tregon se çfarë do të ndërtojë, por i fshihet si djalli temjanit faktit se nuk mund të ndërtojë! Ligji dhe qytetarët do të të ndalin, për këtë të jesh i sigurt, puna është që për këtë herë t’u shpëtosh shtatë penxhereve, se herët a vonë aty do përfundosh, bashkë me kryetarin de facto të Bashkisë që të urdhëron në emër të mafies së betonit”, shkruan Olli.
Ndërkohë Këshilltarët e PD, në Bashkinë e Tiranës, kanë deklaruar gjithashtu se paketa fiskale ka kaluar në mënyrë të paligjshme dhe kanë kërkuar mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak.
“Kërkojmë mbledhje urgjente të Këshillit Bashkiak. Paketa fiskale miratohet vetëm nga Këshilli Bashkiak. Të gjithë elementët duhet të bëhen transparentë”, deklarojnë të djathtët.
BW