Ish-kandidati për kryesinë e PD-së, Ibsen Elezi i ka cilësuar modelet e Berishës dhe Bashës si shkatërruese për këtë parti. Në një intervistë për FaxNews me gazetaren Rovena Neziri, Elezi ka thënë se PD është në pikën më të errët të saj, me një dobësi e cila po rrezikon shkatërrimin.
Për Grupin e Bashës, si ish-kandidati i referohet, shprehet se është një çmenduri, duke shtuar këtu që ky grup nuk ka lënë gjë pa bërë dhe sot pretendojnë të jenë e ardhmja e Partisë Demokratike.
Fakti që PD, ndodhet në këtë gjendje, Elezi e argumenton duke thënë që është pasojë e një trupi të dekompozuar e cila e ka sjellë në pikën më të zezë partinë.
Ibsen Elezi: Bashkimi dhe përçarja janë dy terma jo të saktë për t’u përdorur. Çështja e PD-së nuk ka të bëjë me ato. Nëse thuhet përçarje, i japin një kuptim të tillë që PD përbëhet nga dy linja. Janë dy modele që i kemi vërtetuar që janë të dështuar. Problemi është zhbërja e PD-së në një periudhë nga 2013 e në vazhdim. Po të flasësh për copëtim do të thotë që janë dy copa që pot ë ngjiten bashkohen.
PD është një parti që i kanë shkatërruar themelet. Nuk është rruga riparimi i dritares dhe derës, kërkon një rikonstruktim të plotë. Edhe nëse bëhen riparime të vogla nuk zgjidhet asgjë.
Grupi i Bashës nuk duhet diskutuar fare, është një çmenduri më vete. Njerëz që nuk kanë lënë rregull pa shkelur, këta janë njerëz ordinerë, që nuk kanë lënë gjë pa bërë dhe sot pretendojnë të jenë e ardhmja e asaj partie.
Këto tregojnë në çfarë niveli jemi ne, PD dhe shoqëria shqiptare.
Dikur kur Shqipëria ka pasur burra, nuk guxohej të bëheshin veprime të tilla. Nuk di çfarë epiteti t’u vësh. Është çështje rrugaçësh. E kam provuar këtë me Bashën dhe Berishën ku protestoja pas një humbje katastrofike të 2021. E di ça është. Z.Bardhi dhe mund ta intimidojnë, por mua jo.
Kemi ardhur në këtë pikë si një rrjedhojë e një trupi të dekompozuar. PD ndodhet në pikën më të errët më të zezë të historisë së saj ku rrezikon shkatërrimin. Për të dyja modelet dhe Basha dhe Berisha./m.j