Ish-kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj është prononcuar për gazetarët përpara hyrjes në sallën e seancave plenare, në lidhje me zhvillimet para dhe pas mbledhjes së Kryesisë.
Alibeaj u vendos nga gazetarët përballë faktit se në mbledhjen e Kryesisë u ofenduan dhe u tentua nga militantët mbështetës të Lulzim Bashës të goditeshin deputetët që u shprehën kundër hapjes së garës për kryetarin e ri.
Teksa përfaqësuesit e mediave konstatuan se ai u shtrëngoi duart atyre që ushtruan dhunë ndaj deputetëve dhe gazetarëve pas mbledhjes, Alibeaj u shpreh: “Duhet të respektojmë lirinë e shprehjes së çdo njeriu. Partia Demokratike, është baza, janë njerëzit”.
Referuar reagimit të ashpër të kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi, i cili i konsideroi grup paramilitar ata që tentuan të godasin atë, Saimir Korreshin dhe Dashnor Sulën, Alibeaj tha se ky është qëndrim emocional.
“Dëgjo! Qëndrimet emocionale mos i merrni kështu”, deklaroi Alibeaj.
Unë ju jap garanci se për aq sa zgjati, asnjë prej anëtarëve të kryesisë nuk ka qenë në presion. Unë isha në mbledhje. Asnjëri prej tyre nuk ka qenë as në presion. Ok, ka pasur qëndrime të ndryshme që kanë brenda dhe emocionin. Kryetarët e degëve janë PD, ata që më 8 janar ishin këtu duke mbrojtur çdo deputet. Por nuk ka pasur asnjë dhunë, fjalë ka pasur e pranoj
Nëse secili prej jush është ndjerë i fyer dhe në situatë jo normale ua u kërkoj unë ndjesën. Keni të drejtë të thoni gjithçka çfarë ndjeni por edhe të thoni të vërtetën çka ndodhur në mbledhjen e Kryesisë, sepse aty është thënë nga gjithë secili se çfarë duhet bërë për të ecur përpara Partia Demokratike.
Mbledhjet e Kryesisë sipas statutit nuk do duhet të dalin në publik. Megjithatë për sa kohë që pranojmë se zhvillimet në PD janë çështje publike, po them edhe unë se PD një orë e më parë duhet të marrë formën e plotë të funksionimit të saj. Zgjatja e drejtimit të saj me kryetar të komanduar siç duket nuk ishte zgjidhja më e mirë.
Deklarata e Enkelejd Alibeaj
/a.r