Shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare është dekoruar të mërkurën nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me urdhrin ‘Hasan Prishtina’
Presidentja Osmani vlerësoi lart kontributin e Kadaresë në sensibilizimin e çështjes së Kosovës në botë.
“Ju keni qenë vazhdimisht pikë referimi për shqiptarët. Nëpërmjet krijimtarisë suaj ju keni dhënë shembullin për shqiptarët. Ju e keni shpalosur artistikisht si rrallë kush historinë e traditat shqiptare. Ju e keni mbrojtur dhe keni promovuar kulturën shqiptare, si dhe keni qenë një gardian i së drejtës së popullit shqiptar”, tha ajo.
Pas pranimit te dekoratës, shkrimtari tregoi se sa i nderuar është me këtë vlerësim.
“Së pari ju falënderoj, jam shumë i prekur që të jem afër jush për këtë nderim kaq të madh. Është një fat i rrallë që një popull të të nderoj dhe të të quaj bashkë mbrojtës të të drejtave te tij. Për fat të keq Shqipëri ka pasur një rrugë të gjatë historike të shkelur me këmbë nga forcat e huaja, por për fat të mirë ajo i ka kapërcyer vështirësitë e errëta të historisë dhe gjithçka tjetër që mund ta pengojë një popull që të jetojë i lirë. Vetë mbledhja jonë këtu tregon triumfin e popullit shqiptar. Nuk ka nderim më të madh për një intelektual se sa kjo që po e përjetoj sot këtu”, u shpreh Kadare.,
Kadare po qëndron në Kosovë në kuadër të Panairit të Librit, ku edhe ka promovuar librin e tij të fundit./m.j