Kolegji i Kryetarëve të Partisë Demokratike ka dënuar dhunën verbale dhe incidentet e shkaktuara nga mbështetësit e Lulzim Bashës në mbledhjen e Kryesisë së PD.
Në një njoftim për mediat, Kolegji i Kryetarëve të PD njofton se dënon çdo akt dhune duke bërë thirrje për të respektuar zgjidhjet dhe vendimet institucionale.
“Partia Demokratike e Shqipërisë është ngritur dhe ekziston mbi sakrificën e qindra mijëra demokratëve të cilët sot më shumë se kurrë kërkojnë vetëm të dëgjohet zëri dhe vullneti i tyre, në shërbim të zgjidhjeve më të drejta për fuqizimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike. Çdo përpjekje për ta zhbërë këtë vullnet, çdo tentativë për ta përbaltur mundin, sakrificën dhe shqetësimin e atyre demokratëve të ndershëm që kanë punuar pa u lodhur për çdo votë dhe çdo mandat të deputetëve të Partisë Demokratike, i shërben vetëm kundërshtarëve tanë politikë, i shërben atyre që duan shkatërrimin dhe asimilimin e Partisë Demokratike. Mendimet ndryshe, alternativat për zgjidhjen më të mirë për të ardhmen e Partisë Demokratike, zgjidhen me të vetmin mjet demokratik që garanton standartin e çdo procesi dhe kjo është VOTA. Përpjekjet për t’ju imponuar anëtarëve të Partisë Demokratike me mekanizma përtej votës, janë përpjekje të dështuara dhe nuk janë garanci për të ardhmen e Partisë Demokratike dhe bashkërendimin e aksionit tonë politik”, thuhet në reagimin e Kolegjit të Kryetarëve të PD.
/s.f