Ish kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi se marrëveshja mes tij dhe kreut të qeverisë Edi Rama në datën 17 Maj nuk ishte e fshehtë por tërësisht transparente.
Ai u shpreh gjatë një takimi me të rinjtë se ndërmjetësues ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Basha tha se Sali Berisha dhe figura të tjera në PD, fillimisht e përshëndetën por pastaj e sulmuan për shkak të prishjes së interesave të tyre.
“Marrëveshja e 17 Majit është marrëveshje transparente. Marrëveshja u publikua nga PD dhe PS me të gjitha pikat. U duartrokit në unanimitet.
U përshëndet nga Sali Berisha, Ilir Meta, Jozefina Topalli, Besnik Mustafai. Por pas kësaj marrëveshje disa anëtarë nuk u rikandiduan, nuk ishin kandidatë për deputetë. Në momentin që nuk u rikandiduan, filluan: “Marrëveshja ishte e keqe”, “ishte në kurriz të demokratëve”. Sa kohë ishte në interes të tyre ishin promotorë të marrëveshjes. Kur nuk u rikandiduan filluan t’i binin PD-së. Marrëveshja ishte me ndërmjetësimin e SHBA.
Ishte ndërmjetësuar nga i dërguari i SHBA. I dërguari tha kush refuzon do ketë pasoja. Edhe sot 6 vite pas marrëveshjes së 17 Majit vazhdojnë me industrinë e baltës dhe gënjeshtrave. E meta ime është se besoj te integriteti njerëzor te këta njerëz. Por këta njerëz janë pa integritet. Nuk ka pasur kurrë një marrëveshje të fshehtë. U publikua që në orën 5”, tha Basha./m.j