Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kritikuar homologun Rishi Sunak për taktikat e “shijes së keqe” lidhur me goditjen e tij ndaj emigrantëve me varka të vogla.
Të paktën kështu shkruan e përditshmja britanike “Telegraph”, e cila thekson se Rama e ka akuzuar Qeverinë britanike për një “përtëritje të dramës” mbi emigrantët shqiptarë, kur ata tani përbënin vetëm dy për qind të mbërritjeve të anijeve të vogla.
Në një përditësim mbi ecurinë e premtimit të tij për të ndaluar varkat, Sunak përmendi një rënie të mprehtë të numrit të shqiptarëve që kalojnë Kanalin si dëshmi se një qëndrim i ashpër ndaj dëbimeve do të pengojë emigrantët e paligjshëm.
Megjithatë, Rama tha se, “Qeveria britanike nuk mund të shkëputet nga propaganda. Është e mjerë dhe shije e keqe që tjerr një dramë për përfitime politike”.
Kryeministri shqiptar nuk ka ngurruar të kritikojë ministrat kur ata flasin kundër shqiptarëve, duke akuzuar më parë Suella Braverman, Sekretaren e Brendshme, për komente “të turpshme” për veçimin e shqiptarëve.
Ai sugjeroi se komentet e saj vitin e kaluar për “kriminelët shqiptarë” që kalojnë Kanalin me varka të vogla, mund të konsiderohen vetë një krim.
Kuptohet se mijëra shqiptarë janë gjurmuar dhe vënë në shënjestër nga oficerët e zbatimit të imigracionit të Home Office për dëbim.
Një ekip prej 400 personash punonjësish të çështjeve është ngritur për të gjurmuar shpejt një numër të madh prej 17 mijë kërkesash për azil nga shqiptarët, shumica e të cilave pritet të rezultojnë në dëbimin e tyre.
Ministrat besojnë se qasja e re “aktive” dhe marrëveshjet e reja të deportimit me Shqipërinë kanë depërtuar përsëri tek emigrantët e mundshëm nga shteti ballkanik.
“Arsyeja që ne po kthejmë shqiptarët është që në radhë të parë të pengojmë njerëzit që të vijnë dhe kjo po ia del”, tha Robert Jenrick, ministri i imigracionit për Sky të dielën.
/s.f