Një grua ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në Korçë, pasi u plagos me thikë nga bashkëshorti i saj. E plagosur ka mbetur 38-vjeçarja Marjola Myrtollari, ndërsa autor i dyshuar i ngjarjes është Aleko Myrtollari, 46 vjeç.
Burime zyrtare të policisë thonë së ngjarja ndodhi rreth orës 22:00, në shtëpinë e çiftit Myrtollari në lagjen nr.10 të qytetit të Korçës. Menjëherë pasi plagosi gruan, autori i dyshuar u arratis dhe policia po punon për kapjen e tij.
Paraprakisht shkak për ngjarjen e rëndë dyshohet të jetë bërë xhelozia. Çifti i bashkëshortëve kanë 3 fëmijë. Ata janë Porodina dhe jetonin me qira në Korçë. Ata mësohet se kishin konflikte, pasi bashkëshorti dyshonte se gruaja e tij e tradhtonte. Po ashtu, përveç problemeve të vazhdueshme, 46-vjeçari mësohet se ushtronte edhe dhunë fizike nga gruas.
Ka qenë vajza 16-vjeçare e çiftit që e ka gjetur të ëmën të gjakosur dhe ka njoftuar policinë. 38-vjeçarja ka marrë disa plagë në pjesë të ndryshme të trupit.
Fillimisht në banesë kanë qenë edhe fëmijët e çiftit, por autori i ka nxjerrë jashtë dhe më pas ka goditur disa herë më thikë bashkëshorten. Aleko Myrtollari raportohet po ashtu se konsumonte alkool dhe rrinte shpesh i dehur. Ai punonte jashtë shtetit për pak muaj, ndërsa bashkëshortja ishte e papunë.
“Rreth orës 22:00, në lagjen nr.10, Korçë, në banesë shtetasi Aleko Myrtollari, rreth 46 vjeç, ka plagosur me mjet të mprehtë (thikë) bashkëshorten e tij shtetasen Marjola Myrtollari, rreth 38 vjeçe, e cila ndodhet në spitalin e Korçës, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Shërbimet e Policisë menjëherë pas marrjes së njoftimit, kanë shkuar në vendngjarje, kanë rrethuar zonën dhe po vijojnë krehjen e saj. Gjithashtu janë ngritur pika kontrolli me qëllim kapjen e autorit të dyshuar shtetasit Aleko Myrtollari, i cili pasi ka plagosur bashkëshorten e tij është larguar nga vendi i ngjarjes. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, tha policia e Korçës në një njoftim për mediat.
/a.r