I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, fajëson Kosovën për situatën në veriun e vendit dhe thotë se përshkallëzimi i tensioneve mund te shmangej. Në një intervistë për BBC, ai pohon se përshkallëzimi ishte pjesërisht rezultat i mosgatishmërisë së palës kosovare që ta dëgjojë komunitetin ndërkombëtar.
“Ajo i ka provokuar tensionet, në mënyrë të panevojshme, duke insistuar në shfrytëzimin e objekteve komunale. Ekzistojnë ndërtesa tjera prej të cilave mund të bëhet puna, dhe nëse asgjë tjetër, pandemia e koronavirusit na ka mësuar që mund të punojmë edhe nga lokacione alternative”, tha Gabriel Escobar.
Ai shtoi më tej se përpjekjet e faktorit ndërkombëtar për t’u koordinuar me Qeverinë e Kosovës, kanë hasur në rezistencë, ndërsa përsëriti se duhet të thyhet cikli i dhunës dhe se të dyja palët, si Kosova, ashtu edhe Serbia, kanë përgjegjësi për të vepruar në atë drejtim. Diplomate të tjerë amerikanë kanë vijuar me thirrjet që Prishtina dhe Beogradi të ndërmarrin hapa për shtensionimin e situatës në veriun e Kosovës. Këshilltari i lartë i Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet, njoftoi në rrjetet sociale se ka biseduar për këtë çështje me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
“E inkurajova të nxisë qetësinë mes serbëve të Kosovës, të ndërmarrë hapa për të ndihmuar në zbutjen e krizës në veri të Kosovës dhe të kthehet në rrugën e normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian”, tha Dereck Chollet. Të shtunën, Bashkimi Evropian u kërkoi palëve që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të ulur tensionet dhe të punojnë për vendosjen e qetësisë në veriun e trazuar, duke paralajmëruar se dështimi për të bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative për të dyja palët.
/a.r