Ministri kinez i Mbrojtjes, akuzoi të dielën Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët për përpjekje për destabilizim në vendet e Paqësorit dhe oqeanit Indian. Deklarata e tij erdhi disa orë pasi dy anije lufte nga të dyja vendet për pak sa nuk u përplasën.
Në një fjalim në samitin e sigurisë Shangri-La në Singapor, Li Shangfu, akuzoi SHBA-në për “provokim konfrontimi të bllokut për interesa të vetat”. Ai shtoi se Uashingtoni dhe aleatët e tij po shpikin rregulla për të ruajtur dominimin në këtë rajon.
Ministri kinez paralajmëroi se “çdo përplasje e ashpër” mes SHBA-së dhe Kinës do të jetë një “fatkeqësi e papërballueshme për botën.”
Komentet e Li-së erdhën një ditë pasi Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha në të njëjtin forum se një luftë për Tajvanin do të ishte shkatërrimtar dhe do të ndikonte në ekonominë botërore “në mënyra që nuk i imagjinojmë”.
Austin foli disa orë pasi SHBA-ja akuzoi luftanijen kineze se i preu rrugën një anije amerikane që do të merrte pjesë në një stërvitje ushtarake të përbashkët me një anije kanadeze në ngushticën e Tajvanit. Sipas amerikanëve, anija e tyre u detyrua të ulte shpejtësinë që të shmangte përplasjen.
Pas fjalimit të tij, ministri kinez tha se prania e marinës amerikane në ngushticë është një shembull i Uashingtonit për të krijuar kaos në rajon.
“Nuk janë këtu për kalime të pafajshme, janë këtu për provokim”, tha Li për luftanijet amerikane.
Li u shpreh se nëse SHBA-ja dhe fuqitë e tjera të huaja nuk duan përballjen, atëherë nuk duhet që t’i dërgojnë asetet e tyre ushtarake afër Kinës.
“Shikoni punën tuaj. Pse të gjitha këto incidente ndodhin në zona pranë Kinës, dhe jo në zona pranë vendeve të tjera?”, tha ai.
Në lidhje me rastin pala amerikane ka dhënë një deklaratë ku thuhet se anija kineze veproi në mënyrë të pasigurtë, dhunoi rregullat detare të kalimit të sigurtë në ujërat ndërkombëtare. Po ashtu, ata kanë publikuar një video.