Shqiptarët zgjedhin sektorin e tregtisë si më të preferuarin për të bërë biznes, dhe ky trend duket se kryeson prej vitesh. Ndërmarrjet me aktivitet tregtar numërojnë 26,5% ndaj totalit të ndërmarrjeve të regjistruara gjatë vitit 2022. Aktiviteti tregtar realizon edhe xhiron vjetore më të madhe në ekonomi, me 35,8%. Referuar publikimit të INSTAT, “Regjistrat e biznesit 2022”, rezulton se në fund të vitit që lamë pas janë 125.222 ndërmarrje aktive.
Pjesa më e madhe e këtyre ndërmarrjeve, afro 43.885 janë pozicionuar në tregti. Po ashtu, akomodimi dhe shërbimi ushqimor, zë një peshë të konsiderueshme, sektor në të cili operojnë 17.452 ndërmarrje.
Ndjekur nga industria me 9332 ndërmarrje dhe ndërtimi me 6235 ndërmarrje. Ndërkohë një numër më të ulët sipërmarrjesh përfaqëson sektori i transportit dhe magazinimit si dhe informacionit e komunikacionit. Sektori më pak i pëlqyer nga bizneset shqiptare është bujqësia, pyjet dhe peshkimi, ku janë aktive vetëm 1385 ndërmarrje.
Ndërsa aktivitetet në shërbime të tjera zënë rreth 36 mijë. Po ashtu, nëse do të marrim në analizë shifrat e regjistrimeve të reja për vitin 2022, ku në total rezulton se janë futur në treg 15.700 biznese, përsëri, lista kryesohet nga aktivitetet në fushën e tregtisë, ku janë regjistruar 4161 biznese të reja, ndjekur nga akomodimi dhe shërbimi ushqimor.
Ndërsa interes të konsiderueshëm i përkthyer në regjistrime të reja ka pasur sektori i informacionit dhe komunikacionit me rreth 1429 ndërmarrje. Në qarqet Tiranë, Durrës e Vlorë janë përqendruar rreth 64,8% e ndërmarrjeve, ndërsa Qarku Kukës ka numrin më të ulët.