Kreu i Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive Evgjeni Bashari ka raportuar punën e ILDKPKI-së për vitin 2022 ditën e sotme në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve. Sipas Basharit vitit të shkuar janë dërguar për hetim 37 zyrtarë publikë.
Bashari theksoi se gjatë vitit 2022, ka aplikuar gjithsej 128 sanksione, masë administrative me “gjobë”, për mosdeklarim të interesave private, konfliktit të interesave, si dhe për shkelje të ligjit “Për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve”. Ajo shtoi se numri i deklaratave të administruara nga Inspektorati i Lartë për vitin 2022, është 3975, ndërkohë që për mbi 800 prej tyre është bërë kontroll i thelluar.
“Konkretisht, gjatë kësaj periudhe janë trajtuar në total 63 kërkesa për dhënien e informacionit dhe dokumentacionit, brenda afateve të përcaktuara nga këto organe, si dhe 1 kërkesë nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit”, tha Bashari.
Sipas Basharit, Inspektorati i Lartë mori të gjitha masat institucionale për funksionimin e plotë të sistemit elektronik të deklarimit të interesave private, ku në zbatim të dispozitave ligjore, si dhe dhe në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Evropës, hartoi dhe miratoi aktet e nevojshme nënligjore dhe formularët e deklarimit për sistemin elektronik.
“Inspektorati i Lartë, në bashkëpunim të ngushtë me Këshillin e Evropës, gjatë periudhës raportuese zhvilloi aktivitete trajnuese për Autoritetet Përgjegjëse pranë institucioneve publike, ku u trajnuan mbi 310 përfaqësues të autoriteteve përgjegjëse, si dhe u garantua asistencë për më shumë se 2000 subjekte deklaruese”, tha ajo./m.j