Popullsia e Shqipërisë ka shënuar sërish rënie. Në 1 janar të 2023-it janë regjistruar 2 761 785 banorë në vendin tonë. Sipas INSTAT rënia e popullsisë ka ardhur si pasojë e emigracionit, ndërsa vitin e kaluar 46 460 persona u larguan nga vendi.
Gjithashtu janë rikthyer 13 690 persona, por diferenca e migracionit vijon të jetë e madhe. Në vitin që lamë pas, pati vetëm 690 lindje më shumë se vdekje.
Ndërkohë mosha mesatare e popullsisë është rritur në 38.8 vjeç nga 38.2 që ishte një vit më parë, duke sinjalizuar edhe njëherë tjetër emigrimin e të rinjve dhe plakjen e popullsisë. Edhe raporti gjinor është përkeqësuar, ndërsa në Shqipëri ka më pak burra. Nëse në 2022-in kishte 98.6 burra për 100 gra, tashmë raporti ka rënë me 0.6%.
Numri i lindjeve në vitin e kaluar gjithashtu pësoi rënie me 9.3%, ndërsa vdekjet me 21.3%.
Sipas shifrave të INSTAT gati një e treta e popullsisë së Shqipërisë jeton në Tiranë, ndërsa pas saj vjen Durrësi dhe Fieri, ndjekur nga Elbasani dhe Korça. Gjatë vitit të kaluar popullsia vijoi të shtohet në qarkun e Tiranës, por u pakësua ndjeshëm në ato të Gjirokastrës, Beratit dhe Dibrës./m.j