“Fiks Fare” denoncoi dje veprimet arbitrare të një inspektori policie në Shkodër, i cili i kontrollon portofolin një qytetari dhe një tjetër e rreh!
Në redaksinë e Fiksit mbërriti një informacion, i shoqëruar me video, për komandantin e Rendit në Policinë e Shkodrës, Shkëlzen Gjonaj, i cili futet në një makinë private pa mandat dhe i kontrollon portofolin. Sipas informacioneve, polici dyshohet se ka marrë nga portofoli një zarf të vogël me 350 mijë lekë dhe 50 euro, të cilat pasi u pikas nga kamerat ia ka kthyer pronarit disa orë më pas.
Për të njëjtin polic, me gradë inspektor, ka mbërritur një tjetër video në Fiks Fare, të bërë disa kohë më parë. Në këtë video, polici është në një lokal në Shkodër dhe befas godet me shkelma dhe grushte një djalë të ri.
Lidhur me këtë rast, i menjëhershëm ka qenë reagimi i Ministrisë së Brendshme. Sipas një njoftimi, Gjonaj është vënë në pranga nga kolegët.
Reagimi:
Për rastin e transmetuar mbrëmjen e kaluar në media e për të cilin Policia e Shtetit dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore reaguan menjëherë, Ministria e Brendshme falënderon emisionin “Fiks Fare” për denoncimin e punonjësit të policisë që abuzonte me detyrën. Ky punonjës është arrestuar nga AMP e do të përballet me drejtësinë për të marrë ndëshkimin sipas ligjit.
Ne inkurajojmë investigime të tilla gazetareske, por edhe referimin e qytetarëve për punonjës të Policisë së Shtetit që kryejnë shkelje ligjore apo etike gjatë ushtrimit të detyrës. Vijimësisht jemi të vendosur për të pastruar Policinë e Shtetit nga punonjësit e korruptuar, të cilët kurrsesi s’ka vend në radhët e kësaj trupe.
Vetëm përgjatë vitit 2022 AMP ka referuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre 357 raste nga të cilët 168 me masë shtrënguese. Në 5 muajt e parë të këtij viti janë referuar 119 raste nga të cilët 34 me masë shtënguese. Ky është tregues i vullnetit tonë të plotë për të larguar nga Policia e Shtetit ata që bëjnë pis uniformën e kësaj trupe.
VIDEO:
/a.r