Vijojnë ende replikat dhe kundërpërgjigjet për incidentin e së enjtes në parlament, ku fill pas seancës demokratët akuzuan Kryeministrin se ka ofenduar me fjalor banal deputeten Albina Deda. Edhe këtë të premte, në forumin e gruas socialiste Rama ritheksoi edhe një herë se ai nuk e kishte sharë monstër deputeten por kishte thënë motër, cka ka sjellë një reagim në rrjetin social të demokrates, e cila shkruan:
“Je një gënjeshtar i paskrupullt.
Të gjithë aty, gra e burra në Parlament e dëgjuam shumë mirë çfarë the.
Sigurisht nuk the motër.
Por çdo qytetar e di se cili është kapaciteti yt banal, ndaj nuk po lodhem këtu të bind ata se si më ofendove.
Kur arrin të fyesh aq rëndë një grua, një deputete, një nënë, ti me siguri nuk e ke fare problem edhe të mashtrosh.
I zhveshur siç je nga çdo normë morale, nuk pres që të kërkosh falje. Genjeshtra pas fyerjes pritej nga ti, nga soji yt.
Kjo nuk do ta ndalë aksionin tim politik, dhe të forcës time politike që ti të marrësh ndëshkimin e merituar për fyerjet dhe dhunimin që u ke bërë gjithnjë, por që u bën sistematikisht grave, vajzave e nënave në këto 3 vite.”