Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një reagim për mediat vendase ka komentuar marrëdhënien e tensionuar mes Kosovës e SHBA pas ngjarjeve të fundit në veri.
Ai u shpreh se ka një komunikim të përditshëm me ambasadorin e SHBA në Kosovës, Jeffrey Hovenier, por edhe pse ka një respekt të veçantë për të, ai është zgjedhur nga populli dhe duhet t’i dalë për zot.
“Këtij populli unë duhet t’i dal Zot sepse për këtë më kanë sjellë në këtë karrige. Për Hovenier kam respekt të veçantë, bile shumë të veçantë, por mua më ka votuar populli, nuk më ka votuar ambasadori. Nuk është emërim kryeministri”, ka deklaruar Kurti në KTV.
Ai ka thënë se nuk është normale që ai të bjerë dakord me gjithçka që i kërkohet nga ambasadorët.
“Ka dy vjet që bashkëpunoj me ambasadorët e QUINT-it, atë të BE-së dhe atë amerikan. Nuk pajtohemi çdo herë për gjithçka. Nuk është normale të pajtohemi për gjithçka”, ka theksuar Kurti.
Duke folur për reagimet publike, e madje edhe ndëshkimet konkrete nga SHBA, Kurti ka thënë se më shqetësuese mbetet “milicia fashiste” në veri.
“Është brengosëse (reagimi amerikan), por më shqetësuese dhe brengosëse janë milicia fashiste në veri. Shpeshherë nuk ke opsione ideale. Në këtë kontekst besoj që kam bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme”, ka theksuar ai.
Kryeministri ka rikujtuar edhe kërkesat e shumta që Kosova u plotësoi ambasadorëve.
“Në dhjetor thanë shtyni zgjedhjet, i shtymë zgjedhjet. Më pas i njohën zgjedhjet. Pastaj thanë të mos e bëjnë betimin, mirëpo vend pune tjetër nuk mund të ketë. Komunikimin me ambasadorin amerikan e kam të përditshëm, takimet pothuajse të përjavshme. Mos prisni që me ambasadorin të pajtohem për gjithçka. Njeriu ka dallime edhe vetveten”, ka theksuar ai./m.j