Transformimi i arsimit dhe formimit profesional në një mundësi më shumë për të rinjtë shqiptarë që kërkojnë të jetojnë nëpërmjet një pune të denjë, mbetet një nga sfidat kryesore të ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë për vitin 2016.
Për këtë qëllim, krahas angazhimit për të përshtatur kurrikulat sipas kërkesave të biznesit, MMSR, në bashkëpunim me partnerët e saj ndërkombëtarë, ka nisur një sërë projektesh për ndërhyrjen edhe në infrastrukturën dhe laboratorët e një pjese të mirë të institucioneve të arsimit dhe formimit profesional në vend, duke i kthyer ato në shkolla ekselence dhe qendra multifunksionale.
Në këtë kuadër është prezantuar në Vlorë projekti “Aftësi për Punë” që ‘Swisscontact’, me mbështetjen financiare të qeverisë zvicerane, do të zbatojë për transformimin 5 shkollave dhe qendrave të formimit profesional në rrethet Vlorë, Berat dhe Lezhë, në shkolla ekselence dhe qendra multifunksionale.
“Të gjithë ofruesit e arsimit dhe formimit profesional këtu në Vlorë, shkolla profesionale ‘Pavarësia’, Shkolla Tregtare dhe Qendra e Formimit Profesional, shkolla ‘Kolin Gjoka’ në Lezhë dhe shkolla ‘Kristo Isak’ në Berat, pra në total 5 shkolla pritet të kthehen në qendra ekselence. Gjithashtu, një qendër e formimit profesional do kthehet në qendër multifunksionale. Të paktën 4200 nxënës dhe kursantë do të kenë mundësi më shumë për punë falë një menaxhimi më të mirë të shkollave, përmirësimit të ofertës dhe përfshirjes të sektorit provat në arsimin dhe formimin profesional, si dhe forcimit të bashkëpunimit punëdhënës dhe punëkërkues në tregun e punës”, tha Klosi.
Në total, qeveria zvicerane nëpërmjet ‘Swisscontact’ ka parashikuar që në këtë projekt të investojë me një fond prej 6 milionë euro. Të pranishëm në këtë takim ishin ministri Blendi Klosi, zëvendësshefi i Misionit të Ambasadës Zvicerane në Tiranë, kreu i Këshillit të qarkut Vlorë, si dhe drejtues të shkollave profesionale, zyrave të punës dhe grupe interesi nga rrethet në të cilat do të zbatohet ky projekt.