Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi fillimin e hetimeve ndaj Autoritetit të Dosjeve, i paditur nga ish Presidenti Ilir Meta, i cili paditi Autoritetin e Dosjes pasi i publikuan një dosje ku akuzohej si politikan i nivelit pjesë e ish Sigurimit të Shtetit.
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës të 9 dhjetorit, që vendosi të niste hetimet për Autoritetin e Dosjes të paditur nga Meta. Gjykata e Tiranës e vuri theksin në vendimin e saj në faktin se pas regjistrimit të procedimit penal, organi i akuzës duhet të marrë në pyetje Filip Talon, personin që është kallëzuar nga I. M në ish sigurimin e shtetit.
“Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është shqyrtuar çështja penale që i përket ankuesit Ilir Metaj, me objekt: Ankimin ndaj vendimit “Për mosfillimin e procedimit penal”, datë 21.09.2022 të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me kallëzimin penal nr. 11409, datë 06.09.2022. Paraqitur nga ankuesi, ndaj anëtarëve të Autoritetit për Informim mbi dokumetat e ish-Sigurimit të Shtetit, Tiranë.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 1959 Akti, datë 18.11.2022 ka vendosur:
1. Shfuqizimin e vendimit datë 21.09.2022 “Për mos fillimin e procedimit penal” të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në lidhje me kallëzimin penal Nr.11409, datë 06.09.2022.
2. Detyrimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të regjistrojë procedimin penal për kallëzimin penal nr. 11409, datë 06.09.2022 dhe të kryejë hetimet përshkruar në pjesën arsyetuese të këtij vendimi.
Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Tiranë, që kërkoi ndryshimin e vendimit të gjykatës dhe lënien në fuqi të vendimit mbi “Mosfillimin e procedimit penal”.
Në përfundim të gjykimit në apel, sot më datë 01.06.2023 në dhomë këshillimi, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga Gjyqtar z. Genti Shala, vendosi:
-Lënien në fuqi të vendimit me Nr. 1959 Akti, datë 18.11.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.”
Njoftimi i Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm
Në kallëzimin drejtuar SPAK dhe prokurorisë së Tiranës, Meta kërkonte që të bëhet hetim i plotë, objektiv dhe i pavarur brenda një afati sa më të shpejtë.
/s.f