Këtë të enjte, serbët në veri të Kosovë do të vijojnë protestën e tyre për të pestën ditë më radhë. Protestat po mbahen në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
Kërkesat e tyre janë që këta kryetarë, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, të tërhiqen nga komunat me shumicë serbe, ashtu si edhe njësitet speciale të Policisë së Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i refuzoi ato, por la të hapur mundësinë për zgjedhje të reja lokale.
Policia e Kosovës dje njoftoi se protesta ishte e qetë fillimisht por në orët e pasdites në intervale të ndryshme kohore disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre iu janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat. Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policorë ka pësuar lëndime.
“Po ashtu gjatë protestës së realizuar sot, disa media/gazetarë janë penguar e sulmuar, si dhe automjetet e tyre ishin vandalizuar nga individ/grupe kriminale. Pengimi i gazetarëve në detyrë cenon të drejtën e shprehjes, informimit dhe lirinë e shtypit”, njoftoi policia.
Serbët në veri kanë filluar protestën të premten (26 maj). Protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve.
Ata kanë hedhur sende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni. Si pasojë e protestave të dhunshme, janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Ndërkohë, qytetarë në Zveçan kanë nisur të grumbullohen që nga orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje, por në numër më të vogël se dje.
Punonjësit e Autoritetit të Përkohshëm të Komunës së Zveçanit, që funksionon nën sistemin e Serbisë, janë duke u regjistruar në listën e të punësuarve që është vendosur në një tavolinë, si dëshmi “që vijnë në punë”, raporton Radio Evropa e Lirë.
/a.r