Në intervistën e dhënë për Çim Pekën, presidenti Nishani ka folur edhe për marrëdhënien me kryeministrin Rama. Gazetari e ka pyetur nëse ka ndodhur ndonjëherë që Rama të ketë ngritur zërin në zyrën e presidentit, por Nishani e ka mohuar dhe ka deklaruar se nëse ndodh një gjë e tillë do t’i japë përgjigjen e merituar.
Çim Peka: Po zoti Rama kur ju ka vizituar për herë të fundit?
Bujar Nishani: Ka qenë një kërkesë dhe një ftesë nga ana ime, pas ardhjes së mendimit paraprak nga Komisioni i Venecias në lidhje me amendamentet e reformës Kushtetuese që i janë dërguar këtij komisioni. Për shkak të këtij ngërçi komunikimi që kam parë mes forcave politike në parlament, ofrova gatishmërinë time për të lehtësuar komunikimin dhe koordinimin e një qëndrimi politik të palëve për të reformuar sistemin e drejtësisë, ;por kemi diskutuar edhe për çështje politike të realitetit në vend.
Çim Peka: Zoti president, të paktën analistë dhe gazetarë afër kryeministrit Rama, të cilët jo rrallëherë tregojnë një të vërtetë lidhur me atë se çfarë bën kryeministri, ose paralajmërojnë. Sa herë që kryeministri Rama del nga zyra juaj me zë dhe pa zë të shkruar ose jo, pretendojnë se kryeministri me ju është mjaft i ashpër në zyrën tuaj dhe ju jeni vetëm një dëgjues. A ka një të vërtetë ndërmjet pretendimit të Edi Ramës dhe atyre se çfarë shkruajnë opinionistët afër tij? Cila është sjellja e Edi Ramës përballë jush zoti President?
Bujar Nishani: Unë nuk e kam dëgjuar asnjëherë nga zoti Rama. Nëse zoti Rama do ta thotë këtë gjë të jeni të bindur se do të jap një përgjigje shumë të drejtpërdrejtë të hapur dhe transparente.