Nga Bajram Peçi
Opinioni në Kosovë dhe Shqipëri mori dieni për anullimin e stërvitjes ushtarake “Defender Europe 23”. Ambasadori i SHBA-së në Prishtinë shtoi se vendimi I NATO-s është nga masat e para. Të tjera do pasojnë për Kosovën, presidentja dhe kryeministri i së cilës nuk i përfillën këshillat. Kur shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, është shprehur se “Amerika ka të drejtë edhe kur gabon”, gjëja e parë që mendon është se e ka thënë pikërisht për këta të dy, Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin! Kadare e thotë me stil, me art e politesë, atë që ne të tjerët e lexojmë sot për këta të dy: “Thirrini mëndjes!”
Këta besojnë se me disa policë do fusin e mbajnë në zyrat e administratës vendore të komuniteteve serbe në Veri komunarë shqiptarë!? Këto komuna vërtet figurojnë në hartën që Kosova e ka në flamur, por nuk e njohin dhe nuk e duan shtetin e Kosovës! Këto komuna ish presidenti Thaçi dhe shokët e tij të luftës për liri, të cilët Kosova i ka futur dhe i mban në burg prej vitesh nën hetim për krime, e dinin se ishin e janë një tumor në trupin e shtetit të Republikës së Kosovës! Duke mos e patur në kontroll këtë territor, Kosova nuk mund të quhet plotësisht e unifikuar, çka edhe solli bisedime mes palëve për këmbim territori. Këto përçapje të kujdesshme, e pse jo, të mirëmenduara, u quajtën “Tradhti”. Si këta kanë menduar dhe pothuaj gjithë administratorët europianë të Kosovës.
Vatra e zjarrit që rri ndezur për konflikte më të gjera është një gjendje të cilën e njeh mirë Kosova. Shtoi kësaj dhe agresionin e shtetit terrorist rus në Ukrainë, miqtë për kokë të Serbisë, që e duan dhe e kërkojnë një vatër tjetër lufte në Ballkan, gjendja është ku e ku më kritike se në çdo rast tjetër! Megjithatë, kur fryhesh si tullumbace nuk e kupton dot madhësinë tënde, çka fabulistët na e kanë lënë trashëgim për këto raste me fabulën e bretkosës mburravece e budallaqe që ju fry buallit deri sa plasi.
As një qeveri para kësaj të Kurtit nuk ka menduar të përdorë dhunën e t’i nënshtroj forcërisht bashkësitë serbe, ndaj dhe ka qenë kryefjalë në shumë takime mundësia e ndonjë këmbimi. Ndonëse Vuçiq e ka kundërshtuar prerë mundësinë e kalimit te Preshevës nën Kosovë, gjithsesi shpresa ka patur se me marrjen e Veriut të Kosovës mund të ketë zgjidhje. Shpresa vdes e fundit, ndaj në çdo tavolinë bashkëbisedimi, përpos asociacionit ka qenë (dikur më parë) edhe kjo. Në Ohër, ajo që Kurti e quajti sukses, arritje, mes të tjerave, pikërisht kjo u vendos: komuna me bashkësi serbe si territor e njësi me autonomi administrative. Ka qenë kjo një nga akuzat e fushatave të Kurtit për ish presidentin Thaçi, (të cilit i shtoi më pas dhe Edi Ramën) se janë “Tradhëtarë”. Kurti i akuzon të gjithë këta të sipërpërmendurit, duke harruar të kujtojë se me versionin e asociacionit ka qenë dakord si Europa dhe USA. Departamenti Amerikan ka cilësuar ndërkohë disa herë se do vëzhgojë çdo zhvillim të asociacionit, për të mos lejuar ndonjë dukuri të krijimit të klimës politike si në Bosnje. Ndërsa këmbimi territorit u shpall blasfemi, edhe asociacionit qeveria e Kosovës mesa duket i është larguar.
Veriu i Kosovës, Leopsaviçi e Zveçani, si pika gjithmonë të nxehta, u shndërruan në fronte betejash, fillimisht kundër policisë së pamend të Kosovës, e që vijuan dje kundër forcave të KFOR-it. Policia e Kosovës beson e frymëzuar nga Kurti se mund të ruaj komunarët e zgjedhur me 120 vota, ndërsa KFOR, me besimin se do ta qetësojë situatën, pranon të vritet nga protestuesit, është mbrojtur, por dhunë nuk ka ushtruar.
Vuçiç, i cili ka rreshtuar ushtrinë në gadishmëri për të hyrë, është në pritje sapo të vritet një serb dhe nëse nuk ndodh, në dorë e ka që një nga Vagneri të vrasi dikë, kushdo qoftë, mjafton të shërbejë si alibi. Ndërsa shqiptarët e Kosovës, posaçërisht qeverija e saj, janë vetëm, Serbia dhe serbët kanë pranë syçelë Rusinë. Lavrov kërcënon Kosovën dhe Europën, në ndihmë i vjen politika e jashtëme e shtetit tjetër totalitar, Kinës. Miku ynë, SHBA, shikon me shqetësim megallomaninë e fryrjen e bretkosave tona shqiptare, të cilët krekosen, duke na rrezikuar të gjithëve.
Osmani dhe Kurti besojnë se tani që atyre u ha lëkura, ne në Shqipëri patjetër duhet të kruhemi. Shpresoj që ta kenë të shkurtër qendrimin. Vendimmarrjet e tyre janë asgjë më pak se marrëzi. Një dorëheqje do ishte zgjidhja më e përshtatshme për paqen!