TIRANË – Kreu i vendit, presidenti Bujar Nishani ka injoruar informacionet që Shërbimi Informativ Shtetëror, ka dërguar në zyrën e tij, lidhur me kandidaturën e dekretimit të prokurorit të Lushnjës Arenc Çela, në Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Mësohet se Nishani nuk ka marrë në konsideratë relacionin informativ të dërguar nga kreu i SHISH Visho Ajazi Lika, i cili ka informuar kreun e shtetit për kandidaturën e prokurorit Arenc Çela, kandidaturë kjo e dyshimtë dhe me lidhje familjare me precedentë të rëndë penale dhe pjesëmarës në të ashtëquajturën “banda e Lushnjës”.
Po kështu për këtë kandidaturë presidenti Nishani ka patur të dhëna nga SHISH se ka lidhje të ngushta familjare me shtetasin Dardan Ahmeti, personin që së bashku me të dënuarin Sajmir Bajrami kanë pritur në aeroportin e Rinasit, pilotin italian Giorgio Riformato, i cili u ul me avion në plazhin e Divjakës, për t’u ngarkuar me drogë dhe trafikuar atë në Itali. Të gjitha këto të dhëna, kanë qënë në zyrën e presidentit Nishani dhe kryeprokurorit Llalla, por si ky i fundit dhe kreu i shtetit nuk kanë marrë në konsideratë ato, duke emëruar Çelën pranë prokurorisë së Krimeve të Rënda.
Xhaxhai tek banda e Lushnjës e Petrit Liçi
Në fakt ka qenë pikërisht kjo prokurori, që në 2006 ka dënuar me 25 vjet burg xhaxhain e prokurorit Arenc Çela, Maksim Çelën, i akuzuar ky i fundit për vrasjen e efektivit të policisë Kledi Bano në Lushnjë dhe vendosjen e një sasie tritoli në shkallët e stadiumit “Roza Haxhiu”. Për dënimin e Maksim Çelës, Prokurorët e Krimeve të Rënda kanë përdorur dëshminë e të penduarit Petrit Liçi, i cili ka përfituar në atë kohë nga kjo prokurori statusin e bashkëpuntorit të drejtësisë, duke u mbajtur sot e kësaj dite në ruajtje.
I penduari Liçi ka dëshmuar kundër të pandehurve, Dritan Vila, Maksim Çela, Enver Dondollaku, Leonard Prifti, Erion Cici, Erion Kashari dhe Elton Memali. Mirëpo 11 vjet pas kësaj dëshmie që kryqëzonte Maksim Çelën, xhaxhain e prokurorit Arenc Çela, Nishani ka firmosur dekretimin e një familjari të Çelës në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.
“Çelën e kam xhaxha, e kam një gjysh ballist”
Gazeta “Shqiptarja.com” ka kontaktuar prokurorin Çela duke e pyetur në lidhje me lidhjen e tij me të dënuarit Maksim Çela, si anëtar i bandës së Lushnjës. Prokurori Çela ka shpjeguar duke pranuar se ai e ka xhaxha të dënuarin, por sipas tij kjo nuk do të thotë që ai të mbajë përgjegjësi për veprimet apo krimet e dikurshme të xhaxhait të tij. Çela ka shtuar se në kohën kur janë kryer krimet ai ka qënë fëmijë dhe se nuk ka pasur dijeni se çfarë bënte xhaxhai i tij në Lushnjë.
Më tej prokurori ka vijuar, duke pohuar se presidenti Nishani nuk ka bërë asnjë shkelje ligjore me dekretimin e kandidaturës së tij pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ndërkohë Çela ka ironizuar se edhe në vitin 1944 e ka pasur një gjysh ballist, dhe se kjo duhet të ishte marrë në konsideratë.
Kunati transportues i Riformatos
Pavarësisht kësaj, nga të dhënat rezulton se prokurori Çela është dhe kunati i shtetasit Dardan Ahmeti, shtetas ky që në muajin maj të 2014 ka shkuar me automjetin e tij, në Rinas ku së bashku me Sajmir Bajramin kanë pritur pilotin italian Giorgio Riformato. Nga një verifikim në rregjistrin e gjëndjes civile, konfirmohet se Çela ka bashkëshorte, motrën e shtetasit Dardan Ahmeti. Ky i fundit fillimisht është dyshuar nga prokuroria si pjesëmarrës në trafikun e drogës me avion nga plazhi i Divjakës në drejtim të Italisë. Kjo pasi nga hetimet dilte në disa moment si shoqërues i Giorgio Riformatos dhe Sajmir Bajramit.
Por pas verifikimeve të kryera, prokuroria e ka përjashtuar atë nga dyshimet si i implikuar në këtë çështje, duke e përdorur kunatin e prokurorit Çela si dëshmitar në sallën e gjyqit, ku po gjykoheshin të pandehurit e tjerë të dosjes “Divjaka”. Dardan Ahmeti ka treguar në sallën e gjyqit se ishte ai që kishte transportuar Riformaton nga Rinasi në Lushnjë, ku kanë qëndruar për pak orë dhe prej ketej e ka transportuar së bashku me Bajramin në plazhin e Divjakës, ku Riformato ka parë butësinë e rërës.
Pas kësaj, ka qenë sërisht kunati i prokurorit Çela i cili nga Divjaka e ka transportuar Riformaton, pranë një hoteli në zonën ku ndodhet Prokuroria e Përgjithshme. Të gjitha këto veprime të kunatit të prokurorit Çela janë verfikuar me imtësi pasi kishte dyshime se ai ishte bashkëpuntor me anëtarët e tjerë të grupit, por në fund këto dyshime janë shuar. Prokurori Arenc Çela, është dekretuar në 18 shkurt të 2016 nga presidenti Nishani, për të qenë pjesë e strukturës antikorrupsion pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Ndërkohë mësohet se ai ishte projektuar për të marë drejtimin e kësaj njësie, pranë Krimeve të Rënda.
Polici i shtetit
Vrasja e Kledi Banos nga Çela dhe ushtarët e Aldo Bares
Maksim Çela, xhaxhai i prokurorit Arenc Çela rezulton i dënuar me 25 vjet heqje lirie për vrasjen e efektivit të policisë Kledi Bano. Ky i fundit në kohën kur ka ndodhur krimi kishte vetëm pak kohë që përfundoi shkollën e akademisë së policisë, duke u emëruar nga ministria e Brendshme si shef krimesh pranë komisariatit të Lushnjës.
Mirëpo në këtë qytet funksiononin dy komisariate, ku njërin e drejtonte ministria e Brendshme dhe tjetrin e drejtonte Aldo Bare, me grupin e tij, ku bënte pjesë dhe Maksim Çela, xhaxhai i prokurorit Arenc Çela. Për shkak të problemeve që po i hapte shefi i ri, anëtarët e grupit vendosin ta vrasin Kledi Banon, ku në këtë krim të rëndë kanë marrë pjesë disa persona mes tyre dhe Maksim Çela. Shqiptarja.com