Gazetari Artan Hoxha tha se i ka parë provat për Fredi Belerin, duke u shprehur se ka filmime video të Kokaveshit teksa jep para për të blerë vota.
Gazetari u shpreh në emisionin “Arnautistan” se Berisha dhe Meta s’e urojnë dot Belerin, pasi do t’u kthehet elektorati i tyre kundër, sepse më herët kanë akuzuar Ramën dhe Vuçiçin se po shesin Mitrovicën e Veriut.
“Në 2003 kandidon Bollano përballë Goros, ku influenca greke ishte mjaft e madhe. Rezultati ka qenë i ngushtë, me presionin e autoriteteve greke, u bllokuan qendrat, ndërhyri ministria. Në momenti që situata doli jashtë kontrollit, policia s’kishte kurajo të ndërhynte, shfaqet z.Beleri duke bërë thirrje me megafon në dorë dhe duke djegur flamurin shqiptar. Për këtë ai u dënua me tre vite burg.
Deri në 2014-ën ky njeri s’ka shkelur në Shqipëri sepse do futej në burg. Në 2014-ën u parashkrua çështja. Në 2015-ën kandidoi, fitoi Jorgo Goro, i dha edhe dorën Belerin. Në 2019-ën tentoi të rikandidonte. Deri në 2022-shin nuk rikandidonte dot sepse e pengonte ligji shqiptar. Në 2023-shin kjo u parashkrua dhe ai rikandidoi. Për herë të parë shkoi një kryeministër grek në Himarë, dhe kryeministri shqiptar jo vetëm e lejoi, por në vend të dilte kryetari i bashkisë, doli Fredi Beleri. Kryeministri bëri sikur s’e pa atë ngjarje dhe shkoi në Dropull.
Kanë bërë namin për Ramën dhe Vuçiçin, ndërkohë që vet i japin Himarës. Nëse marrim pjesën ligjore, kur kapesh duke blerë vota duhet të arrestohesh në flagrancë. Dosja184 në Dibër dhe ajo 339 në Durrës u prishën sepse nuk u arrestuan në flagrancë. Është ngritur një fabul që s’ka prova, ndërkohë që askush s’i ka parë. Unë s’besoj as prokurorin, as avokatin, por është një vendim i certifikuar nga dy gjykata. Kur ke të bësh me një çështje penale, se di s’i mund të ndërhyjë një shtet tjetër?!
Unë i kam parë provat dhe s’është e vërtetë që s’ka prova. Nuk është vetëm audio, është video, është filmuar Kokaveshi duke i dhënë lekët për 8 vota. Kam dyshimet e mia edhe për qëndrimin e Ramës në këtë histori. Po të ishte investuar PS edhe minimalisht në Himarë, do ta kishte fituar Himarën. Rama ka folur vetëm javën e fundit. Unë e kam uruar Belerin një javë më para, sepse kisha informacione, kishte 8 muaj aktiv në terren”, tha ai.
/s.f