Dumani u pyet veçanërisht për kohëzgjatjen e hetimeve për aferën e inceneratorëve, për të cilën ai tha se bëhej fjalë për vepra penale të vështira për t’u provuar.
“Krimi i jakës së bardhë, barazia në tendera publikë apo shpërdorimi i detyrës janë çështje penale shumë të vështira për t’u provuar,” iu përgjigj ai pyetjes së deputetit Gazmend Bardhi, nëse kishte ndonjë arsye pse prej 4 vitesh nuk përfundonin hetimet për 3 inceneratorët.
Dumani shtoi se arsyeja e zgjatjes së hetimeve kishte të bënte edhe me plotësimin e strukturës së SPAK. Ai nuk dha specifika të tjera për çështjen, duke përsëritur se kishte detyrim ligjor që të mos raportonte për çështje nën hetim.
Por, sipas Bardhit, politika në një mënyrë a një tjetër kishte ndikuar në mosmarrjen e vendimeve nga prokurorët lidhur me hetime të këtij lloji.
Afera e inceneratorëve nisi në vitin 2014 me një vendim të qeverisë për të shpallur një emergjencë mjedisiore, si justifikim për të dhënë koncesionin e inceneratorit të Elbasanit. I njëjti grup kompanish mori më pas koncesion për incineratorin e Fierit dhe atë të Tiranës. Dy koncesionet e para janë konfiskuar nga SPAK, ndërsa hetimet për inceneratorin e Tiranës, më i madhi prej të treve, zyrtarisht vijojnë.
Deputetët në Komisionin e Ligjeve i kërkuan Dumanit që SPAK duhet të rrëzojnë mitin e të paprekshmëve në vend.
“Pavarësisht punës që keni bërë, SPAK nuk ka dalë nga mentaliteti se të paprekshmit nuk mund të jenë të paprekshëm,” u shpreh Bardhi.
Edhe deputeti socialist, Fatmir Xhafa, që ka drejtuar komisionin e reformës në drejtësi, pasi rrjeshtoi vlerësimet për punën e institucionit, kërkoi që në vitet në vazhdim SPAK duhet të jepte prova që justifikonin pritshmëritë e publikut.
“Këto 3 vite do të jenë vitet e provës së zjarrit për ju,” u shpreh Xhafa, duke iu referuar krijimit të mitit të pandëshkueshmërisë në vend.
Pandeli Majko, si relator i raportit të monitorimit të Kuvendit për punën e SPAK-ut, rezervoi po ashtu kritika për mosplotësimin e disa rekomandimeve të lëna për këtë institucion nga Kuvendi në rezolutën e një viti më parë.
Ai tha se nuk janë plotësuar vendet vakante në prokurori, nuk janë ngritur zyrat mbështetëse në rrethe, nuk është ngritur një sistem treguesish për rezultatet dhe integritetin e prokurorëve, përgatitja e akteve nënligjore, ka probleme në strategjinë e komunikimit me publikun, etj..
Dumani pranoi se disa nga problematikat qëndronin, por nuk cënonin punën e institucionit ose nuk lidheshin drejtpërdrejt me punën e tij.
Gjatë raportimit të tij në Kuvend, Dumani, foli me shifra për punën e SPAK për vitin 2022 duke vlerësuar rritjen e numrit të procedimeve penale dhe konfiskimin e pasurive të krimit të organizuar.
“Janë mbi 100 milionë euro pasuri të sekuestruara,” tha ai, duke shtuar se bëhej fjalë për lloje të ndryshme pasurish.
Sipas kreut të SPAK, i është kushtuar një rëndësi e veçantë regjistrimit të procedimeve kryesisht, dhe gjatë vitit që lamë pas ai raportoi për 28 procedime penale me 34 persona në hetim.
Ai tha se janë përmirësuar metodat e hetimit, pasi përveç përgjimeve telefonike, po aplikohen në masë të konsiderueshme të gjitha metodat e posaçme te hetimit si; vëzhgime, simulime, dorëzim i kontrolluar, letërpososi, agjentë të infiltruar etj..
“Është përdorur me efiksasitet metoda e hetimeve proaktive në 122 procedime penale ku janë interpretuar 2177 pajisje fundore, ku vërehet rritje pozitive në numrin e procedime të hetuara nëpërmjet kësaj metode hetimore,” thuhet në raportin e dorëzuar në Kuvend.
Sipas këtij raporti, pjesën më të madhe të procedimeve penale ku është kërkuar përgjimi, e kryesojnë çështjet të hetuara për veprën penale të korrupsionit me 69 procedime penale dhe interceptuar 1023 pajisje fundore.
Ndërkohë, për çështjet penale të hetuara në kuadër të grupit të strukturuar kriminal janë përdorur metoda të posaçme hetimore në 53 procedime penale dhe janë interceptuar 1154 pajisje fundore./BIRN