“Jam krenar për historinë time”, ka deklaruar Gianni Infantino, shefi i sapozgjedhur i FIFA-s në një interviste të fundit. I lindur në Brig të Zvicrës në 23 mars 1970 nga prindër italianë, ai ka qenë tifoz i hershëm i Interit dhe sulmuesit Altobeli. Ka vizituar që në vegjëli San Siron, ku i hyri dashuria për futbollin, megjithëse vetë nuk kishte talent për t’u bërë futbollist. Për të paguar studimet e larta, Infantino ka punuar si pastrues i vagonave të trenave, duke ndihmuar edhe të jëmën me shitjen e gazetave, në kioskën që zoteronte familja, shkruan Javanews.
Infantino ka mbaruar për shkenca juridike në Universitetin e Friburgut në Zvicër. Para se të hynte në UEFA, ku punoi deri pak para ditësh në krah të Platinisë, ai punoi si konsulent futbolli në Spanjë, Itali dhe Zvicer. Më pas u ngarkua me detyrën e sekretarit të përgjithshëm të studimeve sportive (CIES), ku mësoi pesë gjuhë, të cilat i flet rrjedhshëm: italishten, anglishten, frëngjishten, gjermanishten dhe spanjishten.
Ne vitin 2000 ndodhi kërcimi në karrierë: Infantino hyri në UEFA. Aty i ngjiti gradualisht shkallet, deri sa u bë krahu i djathtë i Mishel Platinisë. Tani si shef i FIFA-s, Infantino thotë se ka si qëllim kryesor rritjen e numrit të skuadrave qe marrin pjesë në Kupën e Botës, nga 32 në 40. (JAVANEWS)