Dy senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters, në një intervistë për A2 CNN me gazetarin Ervin Koçi, u shprehën se pastrimi i politikës nga elementët korruptiv është një proces që duhet të ndodhë.
Kur u pyetën se çfarë mendojnë për faktin që në zgjedhjet e para pak ditëve, dy persona të shpallur “non grata” nga Sekretari i Shtetit për korrupsion madhor dhe minim të demokracisë, udhëhoqën fushatën për dy parti, Peters u përgjigj: “Është e rëndësishme për t’u siguruar që vendi lufton korrupsionin dhe e largon atë jashtë politikës në Shqipëri. Që të ndërtohet një demokraci e fortë, njerëzit duhet të kenë besim tek sistemi, të besojnë se personat që i përfaqësojnë nuk janë të korruptuar në asnjë mënyrë. Kështu që Shqipëria duhet të vijojë rrugëtimin për ta përmirësuar demokracinë, të gjithë e bëjmë, edhe ne në Shtetet e Bashkuara të Amerikës punojmë për këtë gjithë kohës. Demokracia nuk është diçka që merr dhe e ke, por është një sfidë e përhershme. Duhet të sigurohesh pa pushim që po Lufton për parimet e një shoqërie të hapur demokratike. Në fund të fundit, janë qytetarët e Shqipërisë duhet të insistojnë që korrupsioni të dalë nga sistemi në mënyrë që demokracia të forcohet këtu”.