Shqipëria shënoi përparim të lehtë gjatë vitit 2022 sa i përket demokracisë, falë rritjes së vlerësimit në luftën kundër korrupsionit, por ende mbetet një vend në tranzicion. Ky është konkluzioni i raportit të Organizatës Freedom House, në të cilin thuhet se pavarësisht kësaj problemet thelbësore vazhdojnë.
“Vlerësimi për luftën kundër korrupsionit u rrit nga 2.75 në 3.00 pikë, falë një sërë aktakuzash dhe dënimesh të profilit të lartë të ish-zyrtarëve nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe rolit të saj proaktiv në nxitje e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Kjo bëri që vlerësimi i përgjithshëm të rritet nga 3.75 në 3.79, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti.
Megjithatë treguesit e tjerë të demokracisë mbetën të pandryshuar dhe raporti thotë se institucionet demokratike të Shqipërisë sfidohen nga politika partiake klienteliste, zvarritja e procesit të vetingut në drejtësi dhe korrupsioni i shfrenuar, thuhet në kapitullin për Shqipërinë në raportin “Vendet në Tranzicion 2023”.
“Korrupsioni mbetet i përhapur, duke kontribuar në mosfunksionimin e institucionit publik dhe duke kufizuar aftësinë e tij për të ofruar shërbime efektive. Megjithëse agjencitë e reja ligjzbatuese si SPAK, krijuar në vitin 2019, tregojnë shenja premtuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta, ndikimi politik mbi gjyqësorin në rastet e korrupsionit vazhdojnë ende të jenë shqetësim”.
Raporti përmend si të dyshimtë shkarkimin e ish-zvkryeministrit Arben Ahmetaj, ndërsa flet edhe për arrestimin e ish-ministrit të mjedisit Lefter Koka e ish-deputetit të PS-së Alqi Bllako për cështjen e inceneratorëve.
Një nga autoret e raportit, Alexandra Karppi i tha “Zërit të Amerikës” se pati pak mundësi për reforma të mëtejshme para zgjedhjeve lokale të 14 Majit dhe se ato përforcuan idenë se status quoja politike ka të ngjarë të vazhdojë.
Sipas vlerësimi të Freedom House “shumica e partive politike mbizotërohen nga udhëheqës me grusht të hekurt dhe kjo mungesë e demokracisë së brendshme partiake u demonstrua në mënyrën se si u përzgjodhën kandidatët për zgjedhjet e posaçme lokale, drejtuesit e degëve të partive lokale dhe kandidatët për zgjedhjet lokale të majit 2023.
Me shqetësim flitet në raport për reduktimin e numrit të gjykatave dhe gjendjen e mediave.
Sipas Freedom House përmirësim të lehtë shënoi edhe Kosova, por marrëdhëniet e tensionuara prej kohësh mes Serbisë dhe Kosovës vazhduan të minojë përparimin demokratik në të dyja vendet, edhe pse në aspekte të ndryshme.
/a.r