Nga Jakin Marena
Mund të mbështej çdo individ tjetër si kandidat për kryetar bashkie në Himarë, por asesi Fredi Beleri. E themi këtë sepse ky person ka mbi kurriz akuza shumë të forta, pasi akuzohet se ka kryer një krim në postën kufitare të Peshkëpisë, si pjesë e komandove terroriste greke që vranë dy ushtarakë shqiptarë dhe plagosën disa të tjerë.
Por mbi të gjitha, ai që nuk duhej ta kishte kandiduar, pra mbështetur me tërë forcën e tij dhe të koalicionit që drejtonte më 14 maj, “Bashkë Fitojmë”, duhej të ishte Sali Berisha. I cili i ka dhënë vetes dhe titullin “patrioti” më i shquar dhe më i palëkundur në këtë vend.
E themi këtë sepse më 1994, kohë kur Berisha ishte president, Beleri ishte një nga personat e akuzuar për “Masakrën e Peshkëpisë”. Ishte person i padëshiruar në këtë vend dhe kërkohej nga organet ligjzbatuese shqiptare për të dhënë llogari për masakrën e kryer në Peshkëpi.
Për ata që nuk e dinë dhe për ‘patriotët e rrjeteve sociale’ që bëjnë sikur nuk e dinë “Masakra e Peshkëpisë” në Gjirokastër ka ndodhur rreth orës 02:30 të mëngjesit të datës 10 prill 1994. Organizata terroriste greke “Mavi” (Fronti për Çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër nga Greqia dhe hyri në territorin shqiptar. Bashkë me ta, me kallash në dorë ishte dhe Fredi Beleri, asokohe i ri, një hidraulik, që kishte lënë mënjanë veglat e punës me të cilat rregullonte tubacionet e ujit për t’i shërbyer me armë në dorë ‘kauzës së helenizimit’ të Shqipërisë, motoja e tij dhe e sotme dhe për Himarën e tërë Jugun e vendit.
Qëlluan me breshëri teksa postën e kishte kapluar gjumi, dhe vranë rojën, ushtarin Arsen Gjini dhe komandantin e repartit, kapiten i parë, Fatmir Shehu, plagosën efektivë të tjerë dhe grabitën gjithë armatimet në tërheqje e sipër. Dosja u mbyll pa autor disa herë, ndërkohë që Beleri ishte i bindur që nëse nga hidraulik u bë komando, mund të bëhej dhe kryetar bashkie në Himarë. Madje duke pasur si bazë justifikimi për paratë e hedhura me shumicë sipas akuzës, një dyqan dhe lokal peshku. Që gjithsesi gjithçka mbante ‘erë’.
Pavarësisht asaj që kishte ndodhur në Peshkëpi, ai mori guximin dhe kandidoi për kryetar të Bashkisë së Himarës në zgjedhjet lokale të 2015-ës, në siglën e PBDNJ. Edhe pse e mori me votë përgjigjen e himariotëve, duke mos arritur të fitonte, ai e provoi sërish në vitin 2019.
Por, para 4 vitesh, KQZ refuzoi kandidimin e Belerit si kandidat i pavarur për zgjedhjet e 30 qershorit 2019 në Bashkinë e Himarës. Shkak për këtë vendim ishin shkeljet që iu gjetën në formularin e dekriminalizimit. Në vitin 2006, Gjykata e Vlorës e ka dënuar me 3 vjet burg për thirrje urrejtjeje nacionaliste. E prapë nuk dorëzohet. Beleri sërish kandidon dhe aspiroi për të tretën herë që të drejtojë Bashkinë e Himarës.
Por këtë herë ia kishte gjetur ‘gozhdën’ kësaj pune, kishte varur ‘xhaketën’ pikërisht në ‘shtëpinë’ e Berishës, ‘patriotit mobile’, për t’u kandiduar nga ish presidenti si udhëheqës i koalicionit “BF”, pikërisht për bashkinë e Himarës. Gjeti dhe një Celibash të ‘zbutur’ tërësisht që në vend të refuzimit të regjistrimit të Belerit si kandidat, do të na kishte kursyer dhe këto debate jo brenda vendit, por dhe me fqinjin tonë jugor, i cili sa për inerci e ‘traditë’ sa për hir të fushatës së zgjedhjeve në të cilën ndodhet e përdori arrestimin e Belerit, me një firmë e bëri kandidat të “BF” në Himarë. Por Beleri shitës peshku është në fund të herës, s’ka asgjë të keqe ky profesion, megjithatë krijoi rrjetin e blerjes së votës, për të cilën dhe akuzohet, sipas organeve ligjzbatuese i kapur në kushtet e flagrancës apo siç thotë populli me ‘presh në dorë’ duke paguar para nën dorë për votat në favor të tij.
Pra Berisha e kandidoi “Belerin”, duke e lënë “litarin jashtë” për shkak të debateve brenda vendit për arrestimin e këtij keqbërësi, që sipas ligjeve shqiptare mund të konsumojë vite burgu, bën apo nuk bën si minoritar, por dhe debateve me Greqinë, zyrtarët e të cilës e kanë ngritur çështjen deri në Bruksel, anipse në zgjedhjet e fundit në Greqi shumë matrapazë të votave janë në qeli, pasi tentuan të blinin vota. Si Beleri në Shqipëri, por që situata shihet me dy standarde atje.
Gjithsesi pala greke ka punën e vet, ka zgjedhjet për raundin e dytë dhe do përdoret kjo çështje si ‘kalë beteje’ për të fituar një grusht vota më shumë. Problemi është tek ne shqiptarët që kemi lindur dhe po vdesim duke mbajtur elementë të tillë në kurriz.
Madje dhe ‘patriotët’ më të mëdhenj, siç e klasifikon veten Berisha, i cili ua nxiu jetën drejtuesve të PS, në fillim Nanos dhe më pas Ramës, si pro grekë, e kanë ‘fëlliqur’ fare këtë punë. Dhe e kanë kthyer në linjë politike këtë maskarallëkun me fqinjët tanë, në fillim i falën detin duke e lënë ‘litarin jashtë’ për qeverinë e Ramës, pas rrëzimit nga Kushtetuesja të kësaj marrëveshjeje, dhe tashmë me krijimin e kësaj situate të pakërkuar me kandidimin e Belerit në Himarë, i cili shpalli si qëllim në vetëvete “helenizimin e Himarës dhe më gjërë”.
Berisha përpos disa deklaratave sporadike në mbrojtje të Belerit, për ta larguar vëmendjen nga ‘rrënja’ e së keqes, kandidimi prej tij i këtij të akuzuari për vrasjen e ushtarakëve shqiptarë në postën kufitare në emër të ‘helenizmit’, pra pasi e ka ‘qelbur’ fare me këtë kandidim kontravers për hallin e tij personal të Belerit, e ka hedhur vëmendjen në drejtim të Shkodrës.
Kryeqendra e veriut ka qënë ‘bastioni’ i fundit i Berishës, që për 32 vite me radhë s’ka ‘ceduar’ asnjëherë majtas dhe që më 14 maj vendosi të votonte për herë të parë për veten, mirëqenien dhe zhvillimin, rikthimin në shkëlqimin dhe rëndësinë e dikurshme si djep i kulturës. Votoi Benet Becin e kandiduar nga Rama dhe PS, i cili për hir të së vërtetës shpalosi projekte dhe asnjëherë nuk bëri politikë. Nuk akuzoi kundërshtarët e tij që i kanë bërë ‘naftën’ për 32 vite Shkodrës, duke e lënë në ‘ujë të pafund’ sikurse thonë shkodranët, thjeshtë dhe vetëm se votën e Shkodrës e quanin dhe e kanë pasur të ‘hipotekuar’ në mënyrë të pafundme. Deri më 14 maj 2023.
Benet Beci fitoi mbi 11 mijë vota më shumë se sa kandidati i Berishës në këtë bashki, Bardh Spahia, duke e thyer përfundimisht këtë ‘bastion’ të fundëm të mbetur për Berishën, që bashkë me vendlindjen e tij Tropoja që ia dha votën dhe kjo kandidatit të PS, përbëjnë dhe përmbysjen e madhe në zgjedhjet e 14 majit.
Dhe jo vetëm kandidati Beci fitoi në Shkodër, fitoi dhe PS duke marrë 18 mandate këshilltarësh kundrejt 13 të tillëve të marrë nga ana e Berisha-Metës, një më shumë se sa PSD e Tom Doshit me 12 mandate e 6 më shumë se PD e Alibeajt me 5 mandate. Pra Berisha i humbi me të gjitha.
Por duke qënë se lideri historik i demokratëve, i ‘dëbuar’ nga PD që në kohën kur kryetar ishte Lulzim Basha dhe i strehuar tek partia e Lirisë e Ilir Metës, kurrë nuk i ka njohur zgjedhjet kur i ka humbur vetë, ka pasur shumë humbje të tillë ndaj e ka bezdisur popullin shqiptar në atë farë feje për këtë refuzim rezultati gjithherë, ka shpikur një alibi, që gjithsesi është fort fyese dhe e papranueshme nga shqiptarët por mbi të gjitha nga shkodranët. E padinjitetshme kjo fyerje për ta.
Panel më panel e tribunë më tribunë, vetë apo vartësit e tij, Berisha ‘injekton’ akuzën se votat e shkodranëve janë blerë. Nuk ka prova, madje kandidati humbës Spahia thotë se ç’punë ka ai dhe “BF” me provat, ato duhet t’i gjejnë organet ligjzbatuese, por ama i akuzon shkodranët se janë shitur, për një vend pune, për një lek më shumë apo për një thes miell e kështu me radhë.
Berisha nuk ‘vuan’ shumë për sajesa në formë akuzash. Dhe një kitarist të shquar të huaj të viteve ’70-të e bëri zyrtar dhe trafikant iranian, që shoqëroi Veliajn deri në Teheran, apo shpikje të tjera si këto, që do duhen faqe të tëra për t’i numëruar dhe renditur.
Dhe të akuzosh shkodranët që janë njerëz të shitur, është si t’i shash nga nëna. Ata që kanë lindur, apo kanë jetuar në Shkodër e dinë fare e mirë se fyerja më e madhe për shkodranët është t’i thuash se ‘je shitur’, je ‘blerë për një thes miell’. Kanë sedër shqiptarët, por shkodranët në këtë pikë janë dyfish me sedër, janë shumë kavalierë apo në sensin pozitiv kanë shumë ‘tangërllëk’ që gjithsesi vetëm shkodranëve u shkon pasi e bëjnë me klas. Pra nuk e durojnë të quhen të shitur apo blerë. E kanë refuzuar gjatë diktaturës komuniste, dhe t’i akuzosh sot në demokraci se po shiten, jo vetëm është fyerja më e madhe për ta, por është një gabim i pariparueshëm për shumë e shumë kohë, një kosto shtesë dhe barrë e rëndë për opozitën.
Dhe i fyen pikërisht Berisha, të cilit ia kanë dhënë votën në të mirë e në të keq ‘paketë’ pa e devijuar asnjëherë, kjo për shkodranët është e pakonceptueshme. Thjeshtë dhe vetëm njëherë menduan për veten e tyre jo për hallin personal të Berishës, dhe akuzohen si të shitur për një ‘thes miell’ te Rama, te Doshi dhe nuk lihet emër pa përmendur. Madje kryqëzohen dhe ata që kanë dhënë mbështetje personale për Becin, që për hir të së vërtetës është një njeri apolitik, ka punuar si me Berishën ashtu dhe me Ramën. Kur të kryqëzojnë dhe gaztorët, është fundi i botës, pasi shkodranët shquhen për humorin e tyre, por dhe për neverinë që kanë për gaztorët.
Por Berisha ka planet e tij për të justifikuar humbjen rrënuese dhe në bastionet e të djathtës. Prandaj, pasi kandidoi Belerin në Himarë, për të shpëtuar nga akuzat hapi ‘frontin’ e shitjes së shkodranëve, nga inati që ka për humbjen në Tropojë dhe Shkodër, ‘bastionet’ e fundit të tij, s’po e kupton se e ka ‘qelbur’ dhe me kandidimin e Belerit në Himarë dhe me shkodranët. Me të dyja.
Shkodra nuk e fal zhgënjimin, prekjen në sedër dhe aty ku nuk durojnë, karakterin e tyre. Dhe kjo pritet të reflektohet qartë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025. Janë në prag, Berisha të mos mendojë se deri atëherë shkodranët do harrojnë. Duhet ta bëjë gati alibinë e humbjes që tani.